Diplomon gjenerata e parë në trajnimin për udhërrëfyes malorë (Foto)

18.12.2016 21:58:52

Federata Bjeshkatare Alpiniste e Kosovës, së bashku me Komunën e Pejës dhe ‘Outdoor Kosova’, e kanë zhvilluar në Hajle të Rugovës trajnimin e parë të udhërrëfyesve malorë.

Pjesëmarrësit kanë marrë leksione nga trajnuesit, për mënyrën e shoqërimit të turistëve në terrene malore, si dhe shpëtimin e tyre në raste të fatkeqësive, transmeton Telegrafi.

Krahas ligjëratave për siguri, ata janë njoftuar edhe me makinat e ndryshme që përdoren për të pasur më të lehtë orientimin dhe qarkullimin në këto pjesë.

“Duke marrë parasysh se turizmi po shkon duke u rritur, do të ketë kërkesa të mëdha për udhërrëfyes malorë. Ky trajnim ishte i domosdoshëm, meqenëse i mësuam njohuritë themelore për shpëtim dhe siguri”, ka thënë Dardan Ademi, një nga pjesëmarrësit e trajnimit.

Në ceremoninë e diplomimit të kandidatëve ka qenë i pranishëm edhe kryetari i Pejës, Gazmend Muhaxheri, si dhe mysafirë të tjerë. /Telegrafi/