Disa komuna nuk e respektojnë Ligjin për Simbole Shtetërore

09.04.2018 22:36:23
Rruga që të çon nga Kaçaniku në Han të Elezit është e mbushur me flamuj kuq e zi. Një flamur kombëtar gjigant valon fare pranë pikë kalimit kufitar me Maqedoninë. Fryma kuq e zi në komunën e Refki Sumës, nuk vërehet vetëm në ditë festash. Gjithçka në Han të Elezit, lidhet me historinë e popullit shqiptar.

Edhe logoja e komunës mban ngjyrat e flamurit, kurse simbolet kombëtare nuk mungojnë as në kënde tjera.

Në zyrën e Kryetarit të Komunës, Rufki Suma, dominon ngjyra kuq e zi dhe portretet e heronjve kombëtarë.

Në zyrën e tij gjendet e një flamur i Kosovës, edhe pse, sipas ligjit nuk është i renditur siç duhet.

“Zyra jonë i ka të gjithë flamujt, vetëm kthene kamerën mos inskenoni po kthene kamerën incizoni të gjithë flamujt edhe shtetëror edhe kombëtar dhe të gjithë flamujt e shteteve. Zakonisht në bazë të protokollit kur kemi takime edhe me ndërkombëtarë vendoset edhe flamuri i Kosovës edhe flamuri i shtetit tjetër”, tha Suma.

Në anën tjetër, qytetarët thonë se simbolet e shtetit duhet të mbrohen e të shihen gjithkund.

“Unë k’tu nuk e di shteti a funksionon me tana mënyrat. Dikush në Komunë bëhët shtet. Atje në Mitrovicë qitet flamuri i Serbisë, në Çakllavicë i Serbisë, në Shtërpcë i Serbisë, në Kosovë i Shqipërisë, në Shqipëri i Shqipërisë. Na a jena shtet a çka jena? Une qito nuk p’e kuptoj. Qeveria duhet m’i mbrojt këto simbole shtetërore me statut, me kushtetutë me tana t’mirat”.

“Nuk do të thoja që është një dëm i vendit tonë nëse valon një flamur kombëtar. Atë e kemi me shekuj dhe dekada. 2. Pasi territori nuk menaxhohet 25% edhe vendet e ndryshme të vendit tonë, në enklavat serbe valojnë flamujt serbë, çka do të jetë dëm për kufirin tonë nëse valon flamur amë i shtetit që e mbajmë kombin shqiptar”.

Situatë e ngjashme por me flamuj tjerë është në komunën e Parteshit.

E banuar me shumicë serbe, në këtë komunë të re shihen flamujt të Serbisë por jo edhe ata të Kosovës.

Gjendja është më ndryshe në një komunë tjetër të banuar me 93% të popullsisë turke.

Në hyrje të Mamushës, mbishkrimi në tri gjuhë uron mirëseardhje secilit që viziton këtë komunë.

Për dallim nga Parteshi, këtu valojnë tre flamuj.

Edhe brenda objektit, simbolet e Kosovës dallohen lehtë.

Nënkryetari i Komunës, Hilmi Shala, thotë se i respektojnë ligjet e Kosovës edhe pse kurrë nuk kanë marrë fonde nga qeveria.

Në fakt, përdorimi i flamujve kombëtar në Kosovë është i zakonshëm dhe nuk ndalohet me ligj.

Ligji për Përdorimin e Simboleve Shtetërore të Republikës së Kosovës sqaron në detaje se në cilat raste duhen përdorur këto simbole, si dhe cilat janë dënimet nëse nuk respektohen ato.

Sipas nenit 6, pikës 6.2 “Qytetarët e të gjitha komuniteteve në Republikën e Kosovës kanë të drejtën, në mënyrë individuale apo si komunitet, të përdorin flamujt kombëtarë në pajtim me këtë ligj dhe me standardet ndërkombëtare”.

Por, Ministri i Administratës Publike Mahir Yagcilar thotë se Ligji për Përdorimin e Simboleve Shtetërore ka mangësi dhe se duhet të plotësohet. Ai po ashtu e pranon se ky ligj nuk zbatohet, sidomos në komunat me shumicë serbe.

“Në ligj nuk është detajuar se si do të menaxhohet apo monitorohet zbatimi i ligjit sepse në ligj është qartë, kërkohet që `do institucion të veprojë sipas dispozitave ligjore … (Ligji ka qartësitë e veta por ka pasë nevojë që edhe disa akte nënligjore të aprovohen, të saktësohet përdorimi sa më i disiplinuar dhe sa më saktë të ligjit, por gjithashtu edhe nga aspekti i drejtpërdrejt për shkeljet, pa marrë parasysh që në ligj ekzistojnë edhe dispozitat ndëshkimore, por do të ishte mirë që kjo çështje të qartësohen”.

Edhe Drejtori Ekzekutiv i Asociacionit të Komunave të Kosovës, Sazan Ibrahimi ndan të njëjtin mendim.

“Unë mendoj që edhe Ligji për përdorimin e simboleve shtetërore ndoshta mund të themi se e ka një mangësi sepse aty parashihet që përdorimi i simboleve kombëtare rregullohet me një akt nënligjor për të cilin akt nënligjor unë nuk e di se Qeveria e Kosovës e ka nxjerrë. Ndoshta për këtë arsye ndonjë person mund ta keqpërdorë mundësinë e përdorimeve të flamujve tjerë”.

Sipas Ibrahimit, ky është një ligj krucial, prandaj Ministria e Administrimit të Pushtetit Lokal duhet të ketë një përkushtim më të madh në implementimin e këtij ligji.

“MAPL duhet të monitorojë punën e komunave, jo vetëm në një pjesë të RKS-së, por ata duhet ta bëjnë atë në të gjithë territorin e RKS’së dhe të shohin se sa janë duke u zbatuar ligjet të cilat miratohen në parlamentin e RKS’së. Ne nuk kemi ndonjë shënim sa i përket 4 komunave veriore sepse ato nuk janë anëtare të AKK’së”.

Por, MAPL nuk i është përgjigjur televizionit në pyetjen se sa zbatohet Ligji për Simbolet, duke e hedhur përgjegjësinë tek Ministria e Administratës Publike.

Ndërkaq, në Institutin Kosovar për Qeverisje Lokale (KLGI) thonë se ka tri probleme kyçe në zbatimin e këtij ligji.

“e para ka të bëjë me injorimin respektivisht mos përdorimin absolut të simboleve shtetërore, kjo lidhet kryesisht në komunat me shumicë serbe, sidomos në veri të Kosovës, ku flamuri i Kosovës është inekzistent”. E dyta lidhet me intencën politike ( dmth përdorimi i flamujve të partive politike nëpër zyra të institucioneve publike) E treta lidhet me mos njohuritë, respektivisht me mungesën themelore për Ligjin për Përdorimin e Simboleve Shtetërore dhe Ligjit të Protokollit…”

Sipas Tahirit duhet pajtuar me faktin që shteti i Kosovës është në fazën e hershme dhe se mishërimi me këtë flamur nuk është i lehtë.

E derisa një gjë e tillë të ndodhë, ligji do të vazhdojë të mos zbatohet në nivel të kënaqshëm, e kosovarët do të vazhdojnë të krenohen me flamurin shtetëror kur kampionët si Majlinda Kelmendi ta valojnë atë si fitues.