Disa poezi nga Pjerin Ndreka

18.09.2019 13:10:55

 

BUKURI QË VRET -2

Nëper ksollat tona nuk futej pranvera
kur Migjeni shkroi “BUKURI QË VRET”.
Veç me lod të valë nanloket e mjera
kjanin njomcakt e ngrìmë nëpër net.

Akujt e ksollave të ngrìmë neper shekuj,
stalaktite të idhta të epokës,
nuk i shkrinë paçavrat që xunë myk ndër tempuj,
as “Dielli”alegorik i Enver Hoxhës.

E nà besojmë ende në idhuj përbindsha
që fryhen përditë me mish të njomë,
idhuj që ekspozojnë buzqeshje e kmisha,
idhuj në “Parrizin”TELEVIZION.

N’televizion edhe dimni asht i bukur,
dimën me lule – “Parriz i vërtetë”,
në lulet artificiale ndalet nji flutur
artificiale ashtu si lulet vetë.

Ah! Si nuk kam nji grusht të fortë
malin televizion me e bà copë-copë
e copat e xhamit me ia hjèdhë në shportë.
e shportën me e futë thellë n’nji gropë.

E idhujve të rrèmë me iu zgërdhi në ftyrë,
me iu hjekë maskën prej faqes e me pa a iu vjen màrre,
nji gëlbazë në surrat, mandèj: -Shifu n’pasqyrë
bukurosh i fëlliqt, që për zot njef vetëm pare.

Bukuri që vret në shpirt e që sytë i çakërdis,
bukuri që vret njomcakë me imàzhe bojë rozë,
bukuri që vret me SIDA mu n’lulen e rinisë,
bukuri që vret poetët o i bàn tuberkulozë

******

Kur muza jème shkon n’shtrat me fjetë,
kujtimet ankthin e shterpsisë ma ftofin.
Prej sysh m’pikon nji lot i xetë;
Kthehem n’anë tjetër,kush mos t’ma shofin.

KU I ÇOVE FJALT

I lypi fjalt nër xhepa t’trùnit e nuk i gjej se i ka t’biruem.
-Ku i çove fjalt,trù i pamènd?Unë vetëm borxh ti pata dhànë.
N’zemer i pata la e shpërla.Kuku për mue!
E njaty,t’lagta,ti i ke lànë.

Sillet mendimi me ftyrë prej diellit e flet me gishta si memec.
Dielli asht shurdh e nuk e ndìn;e ka mblue kryet me çarçaf rèsh.
Hija e padukshme u ik radarve;ndryhet në shpirt e mà nuk ec’.
Shpirti qet shtjelma:-Mu hiq moj qafet se m’more frymën.Mos mu ngërdhesh.

Mendim i shkretë,pse e lodh vedin?Mos pretendo me t’marrë vesht kush.
Der’ fjalt i hupe,që ça ke hjekë,prej librash t’vjetër me i vjelë si fiqt.
Pa fjalë,ku mbytesh more budallë?A don me shkue si qeni n’rrush?
Si don me i da miqt e anmiqt?

KOJSHIJES

Une nuk i ndeja vargjet e mia
Ne gardh t’kojshijes per me u tere
Vec dielli binte e poezia
Andej n’shulla delte meihere

S’e di a ishin syte tuej bojqielli
E buza jote qershi tane musht
A vec se rrezet e para t’diellit
Vargjet e mia i ndezshin prush

O moj kojshije e bukur si rreze
Sa metaforat mi hoqe doret
Nji flakada ne shpirt me ndeze
Nji flakada-zjarm metaforet

E buza jote n’sejcilin varg
U kuqte flake prej zjarmit t’xete
E syni jot u shndrronte n’hark
E n’zemer m’gjuente me shigjete