Dita e bashkimit të Gjermanisë shënon fitoren e demokracisë ndaj regjimeve totalitare, thotë Haradinaj

03.10.2016 14:02:41

Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka uruar Qeverinë gjermane për festën e bashkimit të Gjermanisë Perëndimore me atë lindore para 26 viteve

Haradinaj konsideron se kjo dite shënon fitoren e lirisë dhe demokracisë ndaj regjimeve totalitare, dhe përbën një inspirim shpirtëror për popujt e shtypur kudo.

“Populli i Kosovës do të jetë përherë mirënjohës qeverisë dhe Popullit Gjerman, për ndihmën dhe mbështetjen e vazhdueshme për Kosovën dhe qytetarët e saj”, ka shkruar Haradinaj.

Postimi i tij:

Në 26 vjetorin e Bashkimit të Gjermanisë, u përcjell mirënjohjen e thellë dhe falënderimin Qeverisë dhe Popullit Gjerman, Ambasadës Gjermane në Republikën e Kosovës, gjermanëve me mision në Kosovë dhe të gjithë paqeruajtësve në radhët e KFOR-it.

Kjo ditë shënon edhe fitoren e lirisë dhe demokracisë ndaj regjimeve totalitare dhe ishte një inspirim shpirtëror për popujt e shtypur kudo, që të luftojnë për liri, demokraci dhe prosperitet, ku edhe Kosova si shteti më i ri në Evropë, e gjenë vetën e saj.

Populli i Kosovës do të jetë përherë mirënjohës qeverisë dhe Popullit Gjerman, për ndihmën dhe mbështetjen e vazhdueshme për Kosovën dhe qytetarët e saj.

Duke ju uruar gjithë të mirat në këtë ditë të madhe për kombin tuaj, shpreh përkushtimin tonë që bashkarisht të punojmë për të forcuar dhe thelluar bashkëpunimin me Gjermaninë në të gjitha fushat!

RH