Dita e tretë, tash e 4 orë presidenti Thaçi po intervistohet në Dhomat e Specializuara

15.07.2020 16:09:26

Tash e 4 orë presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi po intervistohet në Hagë.

Për ditën e tretë me radhë, presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi po intervistohet në Dhomat e Specializuara pranë Prokurorisë Speciale në Hagë, shkruan lajmi.net.

Pas përfundimit të intervistimit të djeshëm, Thaçi nuk është deklaruar për media ndërsa një ditë më herët ai tha se janë shkëmbyer teknikalitete midis avokatit të tij dhe prokurorit.

Për ta pritur Thaçin para Prokurorisë Speciale kishin dalur një grup bashkëatdhetarësh që jetojnë në diasporë.

Në ditën e parë të intervistimit të tij, presidenti Thaçi ka deklaruar se është në Hagë për mbrojtjen e luftës së UÇK-së, për të mbrojtur Kosovën e lirë dhe të pavarur.

“Sot jam këtu për të respektuar atë për të cilën kam ëndërruar dhe luftuar – një Kosovë të pavarur bazuar në të drejta të barabarta, shoqëri multi-etnike dhe sundim të ligjit. Jam gati të përballem me sfidën e radhës dhe t’ia dalë me sukses për djalin tim, familjen, njerëzit dhe vendin tim”.

“Askush nuk mund ta rishkruajë historinë. Ky është çmimi për lirinë”.

Zyra e Prokurorit të Specializuar më 24 qershor publikoi propozim-aktakuzën ndaj ish-Drejtorit Politik të UÇK-së Hashim Thaçi dhe ish-kreut të SHIK-ut Kadri Veseli.