Donacioni i sotëm i Ramiz Kelmendit dhe ‘Elkos Group’, shembull edhe i tolerancës ndërfetare

05.09.2016 18:20:55

Për nderë të ditës së bamirësisë ‘Nënë Tereza’, ditë kjo zyrtare e votuar nga Parlamenti i Kosovës, kompania e deputetit të pavarur të Kuvendit të Kosovës dhe biznesmenit Ramiz Kelmendi, ‘Elkos Group-Etc’, ka ndarë donacione në ndihma dhe mbështetje për personat në nevojë dhe disa kategori të veçanta në rajonin e Pejës. Vlera e ndihmave kap vlerën e 15 mijë eurove.

Edhe pse ‘Elkos Group –Etc’, tashmë tradicionalisht u qëndron pranë, në prag të festave kombëtare, fetare dhe datave të veçanta, kategorive që kanë nevojë për mbështetje, aksioni kësaj radhe veçohet edhe për një tjetër detal, nismë e z. Kelmendi.

Donacionet e sotme, janë ndarë personalisht nga deputeti dhe biznesmeni Ramiz Kelmendi, i shoqëruar nga përfaqësuesit e dy përkatësive fetare në vendin tonë, respektivisht krerë të Bashkësisë Islame të Pejës, dhe të Kishës Katolike të Pejës dhe Klinës, mulla Nexhmedin Hoxha, dhe Don Loren Sopi e Don Fran Sopi.

Një ditë pas shenjtërimit të ‘Nënë Terezës’, në ditën e bamirësisë, që mbanë emrin e saj, dhe në prag të festës së Kurban Bajramit, aksioni i këtij donacioni është shtrirë në Bashkësinë Islame të Pejës, Kishën Katolike ‘Shën Katarina’ në Pejë, Kishën katolike në Klinë dhe në Shoqatën ‘Handikos’.

Nuk janë lënë anash as shkollarët që filluan dije-nxënien nga sot, një pjesë e të cilëve janë në kushte të pafavorshme ekonomike.

eg1

Një mijë çanta shkolle ka qenë pjesë e donacionit që ka shpërndarë Ramiz Kelmendi, në emër të Kompanisë së tij ‘Elkos group-Etc’.

Në Bashkësinë Islame të Pejës, janë dhuruar 200 pako me produkte ushqimore për personat në nevojë.

Kishën katolike në Pejë e Klinë – 100 Pako me produkte ushqimore për personat në nevojë ndërsa në Shoqatën ‘Handikos’ janë dhuruar 480 pako pelena-invalidore dhe 30 pako ushqimore.

Duke folur nga Shoqata ‘Handikos’, për aksionin e sotëm, deputeti Ramiz Kelmendi, ka theksuar rëndësinë e iniciativës, edhe si mesazh bashkimi e fuqizimi të mbështetjes për kategoritë ne nevojë, edhe nga ana e shtetit por edhe e njerëzve të vullnetit të mirë.

Deputeti dhe biznesmeni Ramiz Kelmendi nga ‘Handikos’, ka kujtuar edhe mikun e tij të ndjerë, ish-delegatin dhe humanistin, Riza Lluka, i cili kishte qenë ideator i mbështetjes për ‘Handikos’-in, nga ana e Kelmendit dhe shumë bizneseve të tjera.

“Aksioni i sotëm është aksion tradicional i kompanisë, që ne e shtrijmë në prag të çdo feste si kombëtare ashtu edhe fetare. Aksione të tilla me siguri se janë mesazh edhe për shtetin, se duhet të punojë që sa më pak të kemi nevojtarë në mesin e popullatës, ndërsa për mbështetjen që unë dhe kompania ime ia bëjmë tash e sa kohë, shoqatës ‘Handikos’, dua të përmend kontributin në këtë drejtim të një miku tim të ndjerë, është ish-delegati Riza Lluka ai që më kishte krijuar lidhjen me ‘Handikos’, për çka i jam çdo herë mirënjohës dhe unë këtë traditë e vazhdoi”, tha Kelmendi.

Për iniciativën e Ramiz Kelmendit, kanë falënderuar mulla Nexhmedin Hoxha nga Bashkësia Islame e Kosovës-Pejës, Don Lorenc Sopi nga Kisha Katolike e Klinës, Don Fran Sopi nga Kisha Katolike ‘Shën Katarina’ në Pejë dhe znj, Sabrije Zeqaj nga Shoqata ‘Handikos’.