Donald Lu: Asnjë mbi ligjin, njerëzit duhet të dinë të vërtetën mbi Sajmir Tahirin

26.10.2017 22:49:00

Ambasadori amerikan në Tiranë, Donald Lu, ka qenë në të njëjtën gjatësi vale me zv.ndihmës sekretarin e Shtetit, Yee sa i përket akuzave të Prokurorisë kundër Sajmit Tahiri si i përfshirë në trafik ndërkombëtar të drogës.

 

Lu ka thënë se Shqipëria është përballur me problemin e turpshëm të politikanëve nga e majta dhe e djathta, por që sipas tij “kanë kryer krime të tmerrshme dhe që i kanë shpëtuar drejtësisë”.

Diplomati i lartë amerikan theksoi se publiku duhet të mësojë të vërtetën mbi Tahirin, nëse është i pafajshëm ose jo.

“Nuk do ishte e përshtatshme për mua të thosha nëse zoti Sajmir Tahiri është ose jo i pafajshëm, por është e rëndësishme që ju si shoqëri civile, si qytetarë, të zbuloni të vërtetën. E drejta për të mësuar të vërtetën nuk i përket asnjë partie politike, asnjë nuk duhet të jetë mbi ligjin. Ju nuk jeni gjyqtarë e prokurorë, por jeni njerëz që votoni, ju i dhatë besimin tuaj që e bëtë deputet dhe ministër, – u shpreh Lu. – Është e rëndësishme që publiku të dijë të vërtetën. Nëse është i pafajshëm, njerëzit duhet ta dinë këtë, nëse është fajtor ai duhet të ndëshkohet për këtë”.