Dragashi me rrugë të bllokuara dhe pa energji eletkrike

07.01.2017 12:18:11

Sipas Degës së LDK-së në Dragash, Kryetari i Komunës, Drejtori i Emergjencave as punëtorët e tij nuk kanë dalur  në vendet e tyre të punës as dje as sot.Kryesia e Degës së LDK-së në Dragash përmes një komunikate njofton se në Komunën e Dragashit gjendja është e rëndë.“Gjithçka e bllokuar. Qyteza  është e paralizuar. As rruga për në Qendrën e mjekësisë familjare gjatë ditës së djeshme nuk ishte e hapur”, thuhet në komunikatë.

Sipas Degës së LDK-së në Dragash kryetari dhe drejtori i Emergjencave as punëtorët e tij nuk kanë dal  në vendet e tyre te punës as dje as sot.“Kryetarin e ka zënë letargjia, kurse drejtori ka shumë obligime sepse tani ai drejton dy drejtori, atë të Arsimit dhe të emergjencave civile” shkruhet në reagimin e Degës së LDK-së në Dragash.Ky subjekt politik pohon se punëtorët e KEDS kanë punuar dje deri në ora 22:00 për të riparuar prishje. Sot në ora 12 pritet të rregullohet ky defekt.

Sipas komunikatës së Degës së LDK-së në këtë Komunë “Fshatrat vazhdojnë të jenë të bllokuara. Banorët e fshatrave, të Opojës dhe Gorës po përpiqen që vet t’i dalin zot vetes, ngase pushteti ka harruar tragjedinë e 11 shkurtit të viti 2012 në Restelicë”.Gjithashtu vlen të përmenden dy kompanitë vendore NIKI GD dhe Trans Komerc të cilat kanë angazhuar makinerinë e tyre dhe punëtorët e tyre në mënyrë vullnetare për pastrimin e borës. “Jemi të harruar nga të gjithë! Veç Zoti mos na harroftë!”, thuhet në fund të Komunikatës të Degës së LDK-së në Dragash.