Drejtorët e burgjeve “shijojnë darkat” me të dënuar për vepra të rënda...

Drejtorët e burgjeve “shijojnë darkat” me të dënuar për vepra të rënda penale (Foto)

08.03.2017 15:51:57

Drejtori i Burgjeve të Kosovës, Sokol Zogaj, drejtori për Siguri i Burgjeve të Kosovës, Burim Buleshkaj, drejtori i burgut të Pejës, Isuf Iberdemaj, ai i Burgut të Sigurisë së Lartë, Rasim Selmani, si dhe Nazim Zekolli, gardian dhe person i afërt me Burim Beleshkajn dhe me zyrtarët e lartë të burgjeve, po i shijojnë darkat e me ish të dënuar dhe të akuzuar për vepra të rënda penale.

Blerim Potera, një ish i dënuar dhe i akuzuar për vepër të rëndë penale (trafikim armesh), i cili është edhe një biznesmen i njohur dhe i favorizuar gjatë mbajtjes së dënimit po nga këta zyrtarë të lartë të burgjeve për të cilët më së miri tregojnë këto fotografi, ku shihen së bashku, e shijon darkën me ta pa kurrfarë pengese.

Mësohet se ligjërisht është e ndaluar që zyrtarët apo drejtorët e burgjeve të rrinë në darka e ndeja me ish të burgosur.

Në bazë të informacioneve, përveç darkave, i dënuari Potera zhvillon edhe biznes me mikun e U.D. Drejtorit për Siguri të Burgjeve të Kosovës, Burim Beleshkaj, si dhe me vetë Burimin, i cili ishte prezent në këtë takim.

Për këtë strukturë, sipas burimeve të Indeksonline, ka dyshime të bazuara se janë të përfshirë në afera të ndryshme të cilët pasurohen mbi kurriz të të tjerëve, kryesisht me pazare dhe favore kushtëzuese që i bëjnë për t’i liruar të burgosurit dhe njëkohësisht duke keqpërdorur pozitat zyrtare dhe shkelur ligjin, si dhe liritë dhe të drejtat e njeriut.

Në burgjet e Kosovës, sipas informacioneve, ka dhjetëra raste kur të burgosurve që ju takon e drejta për lirim në pushime, pasi të kenë kaluar kohën e vuajtjes së dënimit të paraparë si e drejtë me Ligjin për Ekzekutimin e Sanksioneve Penale, si dhe me Rregulloret dhe Udhëzimet Administrative për të dënuarit, nuk iu jepet kjo e drejtë apo thënë ndryshe nuk zbatohet ligji.

Ndërsa, për të dënuarin Blerim Potera, i cili shihet në këto fotografi, i dënuar për veprën penale të mbajtjes në pronësi, kontroll, posedim ose shfrytëzim të paautorizuar të armeve, si dhe të trafikimit me armë nga neni 328, paragrafi 1 dhe 2, i Kodit Penal të Kosovës, i cili ishte dënuar vetëm me 5 muaj, ai ka mbajtur vetëm 3 muaj burg.

Më tepër se një muaj e gjysmë, Potera kishte përfituar dhe ishte liruar në vitin 2008 nga Sokol Zogaj, i cili asokohe ushtronte detyrën e Drejtorit në Burgun e Dubravës.