Drejtori i Institutit Sizmologjik të Kosovës akuza për Shqipërinë: E palogjikshme që një tërmet i tillë të shkaktojë aq shumë dëme

26.11.2019 22:15:04

Drejtori i Institutit Sizmologjik të Kosovës, Shemsi Mustafa ka kritikuar institucionet përgjegjëse në Shqipëri për neglizhim të situatës.

Mustafa, në “Debat Plus” me Ermal Pandurin në RTV Dukagjini ka thënë se është e palogjikshme që tërmeti me një magnitudë të tillë të shkaktojë aq shumë dëme.

“Duke ditur që territori i Shqipërisë është një zonë me një aktivitet kaq të lartë sizmik dhe të gjitha informacionet i kanë pasur pasi funksionon Instituti i Sizmologjisë, por tash ku qëndron faji nuk e di. Të bëhen këto shkatërrime me një shkallë prej 6.3 ballë është e palogjikshme”.

Drejtori i Institutit Sizmologjik të Kosovës ka thënë se tërmet në Kosovë nuk ka pasur dhe sipas tij ai është munduar menjëherë të del me raporte për të qetësuar qytetarët.

“Për shkak të forcës dhe madhësisë tërmeti që goditi Shqipërinë ka lëkundur edhe tërë territorin e Kosovës. Afër 5.5 ballë [jo shkallë të Rihterit] është ndier në Kosovë tërmeti në Kosovë”.

Mustafa thotë se tërmetet e fuqishme se ai që goditi Shqipërinë kapin rrezen në gjerësi deri në 400 kilometra.