Drejtori i spitalit të Vushtrrisë: Numri i të hospitalizuarëve me COVID-19 ka filluar të bie

26.08.2020 11:36:10

Drejtori i  Spitalit të Përgjithshëm të Vushtrrisë “Sheikh Zayed”, Mursel Pllana në një prononcim ka thënë se situata në ditët e fundit është pak më e qetë dhe se numri i të hospitalizurëve me COVID-19 është duke rënë.

Pllana tregoi se 39 pacientë për momentin janë duke u trajtuar në këtë spital, të prekur me virusin COVID-19.

Sipas tij, 24 pacientë janë me oksigjeno-terapi, ndërsa tre pacientë janë në gjendje më të rëndë.

“Situata ditët e fundit është diçka më e qetë. Ka filluar të bie numri i të hospitalizurëve. Për momentin i kemi 39 pacientë të shtrirë, prej tyre 24 janë me oksigjeno-terapi dhe tre janë në gjendje më të rëndë”, ka thënë Pllana.

Ndërsa, sa i përket mjekëve të infektuar, ai tha se e kanë kaluar, ndërsa për momentin kanë 10 teknikë medicinal të infektuar me coronavirus, të cilët siç tha Pllana janë në fazën e fundit të shërimit.

Ndryshe, Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik bën të ditur se numri total i rasteve pozitive është 12.683 raste nga 48.232 persona të dyshimtë në virusin SARS-CoV-2 dhe 488 raste të vdekjes.

IKSHPK njofton se numri i përgjithshëm i të shëruarve deri më sot është gjithsej 8.788 raste, kurse numri i rasteve aktive është 3.407.