Dugolli i reagon AGK-së: S’kam pasur agjendë apo qëllim të fyej kontributin e gazetarëve

09.05.2020 19:52:37

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK), kishte reaguar për gjuhën e përdorur në një status të fundit të zëvendësministrit në detyrë të Mbrojtjes dhe anëtarit të Lëvizjes Vetëvendosje, Enver Dugolli.

AGK-së i është përgjigjur Dugolli, përmes një shkrimi në Facebook.

Dugolli ka thënë se ka respekt për gazetarët, por thotë se shoqëria në Kosovë po ballafaqohet me tendenca polarizuese.

“Respektin për gazetarët dhe gazetarinë nuk ma zbehë askush. Kam punuar e bashkëpunuar shumë gjatë më gazetarë e media (koha në TMK dhe FSK), prandaj nuk mund të kem ndonjë mendim ndryshe. Mjerisht, shoqëria jonë po ballafaqohet me tendenca polarizuese të cilat po rriten çdo ditë e më shumë, prandaj në këtë rrafsh, të gjithë kemi obligim dhe përgjegjësi të kontribuojmë për sa më pak kundërshti, e mundësisht zero armiqësi”, thotë ai.

Dugolli e quan keqkuptim reagimin e AGK-së ndaj tij, porse nuk jep sqarime të detajuara lidhur me shkrimin e tij ndaj gazetarëve.

“Reagimi i Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës (AGK) ndaj një postimi tim në fb (duke dënuar gjuhën që paskam përdorë), besoj që është një keqkuptim. Ne të gjithë jemi njerëz prandaj nuk jemi të pagabueshëm, por kur gabimet bëhen me ndonjë agjendë apo qëllim të caktuar, atëherë këtu kemi të bëjmë me diçka më të madhe”, thekson ai.

“Unë e siguroj AGK-në dhe gjithë gazetarët se asnjëherë nuk kam pasur agjendë apo qëllim të fyej, sulmoj apo dhunoj fjalën e lirë të kujdoqoft, e aq më pak punën dhe kontributin e gazetarëve”, shkruan më tej.

Reagimi i AGK-së kishte ardhur pasi Dugolli të premten ka shkruar një status në rrjetin e tij personal social Facebook, se “Piskamat shteruese e dëshpëruese të disa “gazetarëve” për të krijuar me çdo kusht viktimën, përveçse të gërditshme janë edhe ofenduese. Është e pakuptueshme kur mediumi bie në gracka të tilla për të krijuar më çdo kusht “viktimën politike” madje duke i kushtuar transmetim direkt nga Stacioni i Policisë… Krijohet përshtypja se kushedi se ç’farë krimi i madh mund të ketë ndodhur… Gazetari se jo mahi…”.