Dy asambleistët e Shpend Ahmetit që ndodhen në konflikt të interesit për NPB-në

11.04.2018 19:32:30
Afër 50 vetë u punësuan me kontrata për shërbime të veçanta gjatë mandatit të parë të Shpend Ahmetit në Ndërmarrjen Publike Banesore të Komunës së Prishtinës. Disave prej tyre, kontrata u është kthyer në të rregullt nëpërmjet konkurseve të hapura. Me ndarjen e VV-së kanë nisur problemet serioze në këtë ndërmarrje.

Grupi i asambleistëve të Lëvizjes Vetëvendosje është përfshirë ne akuza të ashpra me grupin e Shpend Ahemtit rreth NPB-së. Pakënaqësitë e dy palëve janë shfaqur lidhur më atë se kush duhet ta udhëheqë këtë Ndërmarrje, Nexhat Kryeziu që vjen nga VV, e që ka qenë deri më tani Kryshef ekzekutiv, apo Hajdar Hoxha i krahut të Shpend Ahmetit.

Por, dy asambleistë që kanë dhënë dorëheqje nga VV-ja e që i takojnë grupit të Shpend Ahmetit ndodhen në konflikt të interesit, shkruan lajmi.net.

Asambleisti, tash i grupit të të pavarurve, Bashkim Beha aktualisht është zyrtarë kryesor financiarë në Ndërmarrjen Publike Banesore. Zyrtar i lart në NPB është edhe asambleist tjetër i Shpend Ahmetit, Drilon Pireva.

“Drilon Pireva është i punësuar në Ndërmarrjen Publike Banesore si Ushtrues Detyre i Udhëheqësit të Departamentit të Mirëmbajtjes”, ka bërë të ditur zyra e informimit e NPB-së për lajmi.net.

Ndërkaq, Ligji për Parandalimin e Konfliktit të Interesit në Ushtrimin e Funksionit Publik e ndalon që një person të ushtrojë dy pozita të larta shtetërore.

Këtë e ka konfirmuar për lajmi.net edhe ish drejtori i Agjencisë Kundër Korrupsionit, Hasan Preteni. Ai ka thënë se pozita e asamblistit përbën pozitën e zyrtarit të lartë, por edhe nëse një zyrtarë i institucioneve e deklaron pasurinë, si zyrtarë i lartë, atëherë mbajtja e dy pozitave të larta është konflikt.

Ndërkaq, emri i zyrtarit kryesor financiar, Bashkim Beha ndodhet në listën e zyrtarëve të lartë të vitit 2017, ndërsa i Pireves nuk ndodhet meqë pozitën e u.d të udhëheqësit të departamentit e ushtron pasi është bërë publik deklarimi i pasurisë. Por, në deklarimet e pasurisë, që kanë shpalosur zyrtarët e NPB-së në vitit 2017, pozita e udhëheqësit të departamentit- përbën pozitën e zyrtarit të lartë.

Do të jetë e vështirë që ndonjëri prej të dyve të japë dorëheqje nga pozitën e asamblistit ngase në radhë më për tu futur në asamble është ish kandidati për asamblist nga radhët e Vetëvendosjes, Berat Lahu, i cili nuk i është bashkuar grupit të të dorëhequrve. Në këtë rast Ahmeti do të dobësohej dhe për një asamblist.

Ndërmarrja Publike Banesore është bërë shkak i përplasjeve mes anëtarëve dhe të larguarve nga Vetëvendosje në Komunën e Prishtinës. Shpend Ahmeti po akuzohet nga Vetëvendosje se është venë në shërbim të grupit të deputetëve të pavarur dhe jo në shërbim të kryeqytetit për të vënë ligj në këtë Ndërmarrje. Përzgjedhja e anëtarëve të përkohshëm të bordit drejtues të Ndërmarrjes Publike Banesore nga dy anëtarët e Komisionit Komunal të aksionarëve, të krahut të Shpend Ahmetit, Dren Kukaj dhe Qendrim Sahiti, po konsiderohet në kundërshtim me ligjin nga VV-ja. Aksionar i tretë i kësaj Ndërmarrje është edhe Egzon Azemi i VV-së, i cili është i pafuqishëm përballë dy votave tjera.

Nexhat Kryeziu, i cili është Kryeshef ekzekutiv i shkarkuar nga krahu i Ahmetit, e i cili vjen nga radhët e VV-së, akoma është duke e ushtruar këtë detyrë./Lajmi.net/