Dy institucione në Kosovë festojnë ditëlindjen e Clinton – festa bën bujë në mediat e huaja!

22.08.2016 15:10:03

Dy institucione në Kosovë kanë festuar ditëlindjen e 70-të Presidentit William Jefferson “Bill” Clinton, si një shenjë mbështetje dhe admirim për presidentin Clinton dhe familjen e tij.

Dhe ky festim i ditëlindjes së Klinton (i lindur më 19 gusht, Hope, Arkansas, SHBA) nuk ka lënë pa u vënë në pah edhe nga mediat botërore.

Siç shkruan, newschannel10.com, Kolegji “Universum”, një nga institucionet arsimore private në Kosovë, në bashkëpunim me “Miqtë e Amerikës”, një organizatë lokale joqeveritare e përkushtuar për forcimin e miqësisë midis Shteteve të Bashkuara dhe Kosovës, kanë organizuar një ngjarje për të festuar ditëlindjen e 70-Presidentit Bill Clinton.

Kjo sipas këtij mediumi mund të jetë mjaft e pazakontë për një vend aq larg nga SHBA, por sipas tyre, Presidenti Bill Clinton është një hero lokal dhe bulevardi kryesor në Prishtinë është emërtuar me emrin e tij, dhe se në këtë qytet është vendosur edhe një statujë e tij.

“Kemi ardhur këtu për të festuar ditëlindjen e një njeriu, të cilit i kemi borxh një pjesë të ekzistencës tonë”, citon ky medium Suat Berishën, Drejtor i Kolegjit Universum, në fjalimin e tij hyrës.

Mediumi në fjalë shkruan se Berisha përmendi kontributin e Presidentit Klinton gjatë 99-tës, duke arritur kulmin me bombardimin e Jugosllavisë dhe të çlirimit të Kosovës nga forcat serbe më pas.

Newschannel.com shkruan se Kosova shpalli pavarësinë në vitin 2008, kryesisht në sajë të mbështetjes së Shteteve të Bashkuara dhe sot është njohur nga 112 shtete.

“Agim Rexhepi, kryetar i “Miqtë e Amerikës”, foli për rolin e presidentit Bill Klinton, jo vetëm në çlirimin e Kosovës, por edhe kontributin e tij global të demokracisë dhe mirëqenies. Ai përmendi edhe emërimin e Hillary Clinton për Presidente të Shteteve të Bashkuara dhe u bëri thirrje të gjithë shqiptarëve në mbarë botën për mbështetjen e saj gjatë zgjedhjeve”, shkruan ky medium.

Në fund bëhet e ditur se një pllakatë mirënjohjeje do t’i dërgohet Presidentit Klinton nga Kolegji Universum – madje edhe një tortë u pre për ditëlindjen e tij.