Dy muaj nga rasti i parë me koronavirus në Kosovë, kjo është situata aktuale

13.05.2020 08:14:07

Deri më tani në Kosovë janë evidentuar 919 raste me COVID-19.

Pavarësisht se e gjithë bota dhe rajoni po përballeshin qysh më herët me pandeminë e COVID-19, Kosova rastet e para me koronavirus i kishte shënuar më 13 mars të këtij viti dhe deri më tani rezultojnë 919 persona të prekur me këtë virus, ku 29 kanë ndërruar jetë dhe 671 kanë arritur që të shërohen.

Më 13 mars ishte ministri në detyrë i Shëndetësisë, Arben Vitia, i cili së bashku me drejtorin e Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës, Naser Ramadani, përmes një konference të jashtëzakonshme kumtuan lajmin për dy të prekur me koronavirus.

Të prekurit me koronavirus ishin një 20-vjeçare nga Italia, por që jetonte në Klinë dhe një 77-vjeçar nga Vitia, i cili ishte kthyer nga Italia.

Që nga ajo kohë këto qytete u futën në karantinë mirëpo përhapja e virusit ishte shumë e shpejtë nëpër të gjithë Kosovën.

Duke e parë përhapjen e shpejtë të virusit, autoritetet përgjegjëse morën masa edhe për caktimin e lëvizjes së lirë të qytetarëve, kështu si njërën ndër hapat e parë për parandalimin e përhapjes së koronaviusit.

Kosova pikun/kulmin e rasteve me koronavirus e ka regjistruar më 12 prill, pra akoma pa u bërë një muaj i plotë kur janë regjistruar rastet e para.

Më 12 prill, 79 persona kishin rezultuar pozitivë me COVID-19 pas rezultateve të analizave që i janë bërë nga IKSHPK.

Dy javë më pas, pra më 27 prill numri i të infektuarve ishte më i ulët sesa numri i të shëruarve dhe kjo më pas bëri që autoritetet edhe t’i lehtësonin masat.

Që nga 24 prilli e deri më 9 maj, në Kosovë janë shëruar gjithsej 412 persona, ndërkaq ka qenë data 8 maj, kur në vend ishin shëruar gjithsej 61 persona dhe në po të njëjtën ditë vetëm një person ishte i infektuar me koronavirus.

Kur të gjithë mendonim se Kosova po e mposhtë koronavirusin për shkak të numrit të lartë të të shëruarve, ndodhi e kundërta.

Më 10 maj, në Kosovë u rikthyen përsëri rastet e reja dhe në po këtë ditë IKSHPK-ja bëri të ditur se ishin evidentuar 14 raste të reja dhe vetëm dy kishin arritur që të shërohen.

Që nga 10 maji janë regjistruar 49 raste të reja me koronavirus në Kosovë, kështu duke e çuar numrin e përgjithshëm në 919.

Sipas IKSHPK-së, në vendin tonë që nga 13 marsi e deri më sot kanë ndërruar jetë 29 persona të cilët ishin të infektuar me koronavirus, por që më parë kanë pasur sëmundje të tjera shoqëruese.

Po ashtu numri i përgjithshëm i të shëruarve në Kosovë ka arritur në 671, ndërkaq deri më tani, komuna e Ferizajt rezulton me më së shumti raste, me rreth 100 të infektuar.

Theksojmë se vetëm gjatë së martës në vend janë evidentuar 24 raste të reja me koronavirus nga 257 mostra të marra dhe 14 prej tyre kanë qenë nga komuna e Gjilanit, 4 në Prishtinë, 3 në Vushtrri dhe me nga një rast kanë qenë në Ferizaj, Mitrovicë dhe Kamenicë.

IKSHPK-ja ka bërë të ditur po ashtu se që nga 8 shkurti i këtij viti e deri më 12 maj në Laboratorin e Mikrobiologjisë Molekulare në IKSHPK me metodën RT-PCR, janë testuar gjithsej 10.387 mostra të dyshimta në virusin SARS-CoV-2.