Dy paciente digjen në dhomën e Hemodializës, si ndodhi tragjedia në Spitalin Amerikan në Tiranë

25.07.2016 20:31:40

Një ngjarje e rëndë në përmasat e skandalit ndodhi këtë mesditë në Spitalin privat Amerikan në Tiranë, i ndodhur pranë Spitalit të Traumës, ku dy paciente humbën jetën.

Në repartin ku qytetarët marrin shërbimin e Hemodializës, në një dhomë të vogël me 6 pacientë të cilët kanë edhe hepatitin C, një 57-vjeçar është përfshirë në sherr me një 47-vjeçar që po merrte trajtimin e dializës dhe i ka vënë atij flakën. Lefter Canaj kishte përfunduar shërbimin në këtë dhomë, ishte shkëputur për pak çaste, por në kthim, me një shishe me benzinë në dorë, i është sulur 47-vjeçarit Dashamir Saraçi për arsye ende të pazbardhura nga policia e Tiranës e cila ka nisur hetimet për ngjarjen. Ata janë përleshur me njëri-tjetrin në dhomën ku merrnin shërbim pacientët e tjerë, në prani edhe të një infermieri. Gjatë përplasjes, të dy janë spërkatur me benzinë, derisa në një moment autori 57-vjeçar ka ndezur shkrepësen duke bërë që gjithçka të shpërthejë shumë shpejt në flakë.

Dy gra 55-vjeçare, Sanie Sulaj nga Mamurrasi dhe Hanife Mali nga Laçi të cilat ishin të lidhura me aparatura për të marrë shërbimin e dializës, humbën jetën si pasojë e asfiksisë e më pas djegieve në trup nga flakët e përhapura masivisht në dhomën që përfundoi totalisht e shkrumbuar.

Lefter Canaj ka mbetur edhe vetë i djegur ndërsa policia i ka komunikuar masën e arrestit në ambientet e reanimacionit të Spitalit Amerikan ku ai po trajtohet. Ndërsa Dashamir Saraçi ndodhet i shtruar në gjendje të rëndë në reanimacionin e spitalit të Traumës dhe rezulton të jetë djegur në 90 % të trupit.

Po ashtu, dy infermierë kanë mbetur të lënduar gjatë tentativave për të nxjerrë pacientët jashtë ambienteve të repartit të hemodializës. Në momentin e zjarrit pavioni ka qenë me 30 pacientë, dhe të gjithë kanë dalë shëndoshë e mirë jashtë, të ndihmuar nga stafi mjekësor të cilët i kanë hequr aparaturat me të cilat qytetarët ishin të lidhur për të marrë trajtimin e dializës.

Hanife Mali, e ka pasur të pamundur të dalë nga dhoma e përfshirë në flakë. Ajo ka qenë duke marrë shërbimin e hemodializës, dhe gjatë tentativave për të hequr aparaturat nga trupi ajo ka përfunduar poshtë krevatit. Burime thanë për Express, se zonja nga Laçi i ka shpëtuar syrit të mjekëve të cilët mes kaosit të krijuar e flakëve të përhapura në masë, nuk kanë mundur ta nxjerrin nga dhoma. Ishte vetë vëllai i saj, i cili në një prononcim për mediat tha se e pa motrën me sytë e tij të shkrumbuar nga flakët.

Ndërsa kjo ngjarje tronditi opinionin publik, Spitali Amerikan në një deklaratë disa orë pas tragjedisë tha se ndodhi të tilla janë të paparashikueshme. “Pacientët kanë sendet vetjake, ne nuk mund të shkelim të drejtat e pacientit , ai ka pasur një bidon që supozohet ishte me ujë të cilin ne nuk mund tas kontrollonim”, deklaroi mjekja e Spitalit Amerikan.

Sipas Spitalit Amerikan i gjithë stafi ka mbetur i lënduar pasi ka reaguar menjëherë duke nxjerrë pacientët jashtë, duke bërë që gjithçka të përfundojë brenda 3 minutave kur forcat e policisë dhe zjarrfikëse ende nuk kishin ardhur në vendngjarje.

Por ndërsa mjekja thotë se nuk mund të cënohet privatësia e pacientit, një kontroll i tyre do të shmangte tragjedinë! Në pavionin e Hemodializës në Spitalin Amerikan mungojnë punonjësit privatë të sigurisë. Me nisjen e konfliktit mes dy pacientëve brenda dhomës ku qytetarë të tjerë merrnin shërbimin, dhe në mungesë të ndërhyrjes në kohë nga bluzat e bardha për të shuar sherrin, prania e “Security-t” do të kishte shmangur degjenerimin e përplasjes deri në përdorimin e shishes me benzinë e vënien e flakës.

Mbetet e habitshme se si një pacient problematik që ka nisur të sulmojë një tjetër pacient nuk është nxjerrë menjëherë jashtë nga bluzat e bardha, por është lejuar të shkojë deri në aktin ekstrem të vënies së zjarrit.

Po ashtu, në spital mungonte sistemi i emergjencës që njofton për zjarrin, e në rastin më të mirë edhe sistemi që që shpërthen automatikisht ujë nga tavani në ambientin që është përfshirë nga flakët. Pacientët që kanë dalë me urgjencë nga pavioni pas ngjarjes së rëndë, kanë pasur të vetmen dalje një derë të vogël, pasi ky repart nuk ka derë emergjence!

Në ambientet hyrëse në spitalin Amerikan, pranë pavionit ndodhet vetëm një roje, ndërhyrja e të cilit ka qenë kur gjithçka ishte kthyer në tragjedi! Spitali i Traumës i cili është vetëm disa metra larg spitalit privat është i pajisur me “Security”.

Shërbimi i Hemodializës është i kontraktuar nga Ministria e Shëndetësisë dhe Fondi i Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor, në Spitalin Amerikan. Pas ngjarjes së rëndë, ministri i Shëndetësisë Ilir Beqaj tha se do të mbikëqyret zbatimi administrativ i kontratës që fondi ka me spitalin privat për këtë shërbim. Ndërsa i mbetet organeve të drejtësisë për të zbardhur të vërtetën e konfliktit të nisur në dhomën me pacientë.

Sytë e familjarëve të viktimave janë kthyer nga shteti ku presin të marrin përgjigje për dy jetë të humbura, në një institucion që i kishin çuar për të gjetur kurim. Dy të moshuarat kishin vite që i ishin nënshtruar trajtimit të hemodializës, por ngjarja e sotme i ka lënë të afërmit e tyre pa fjalë. Edhe pse jo drejtpërdrejtë, ata kërkojnë kompensim për dhimbjen që u ka shkaktuar kjo tragjedi…si moral me vënien e përgjegjësve para ligjit, ashtu edhe financiar.