Dy të akuzuar për terrorizëm, bashkëpunojnë me Policinë e Kosovën: Tregojnë detajet e planit për sulm gjatë ndeshjes Shqipëri-Izrael

19.11.2016 22:32:58

Visar Ibishi dhe Flamur Gashi, janë dy nga 18 të arrestuarit e ditëve të fundit për terrorizëm në Kosovë, të cilët kanë pranuar të bashkëpunojnë me policinë dhe prokurorinë speciale atje.Policia e Kosovës ka njoftuar se ata kanë pranuar të marrin statusin e bashkëpunëtorëve, duke treguar me detaje planin e sulmit me eksploziv në Shkodër.

Nuk jepen shumë detaje për të dhënat e deklaruara pasi burimet thonë, se ndodhen në fazën e verifikimit të thënieve të tyre. Ata shprehen se Ibishi ka pranuar se ka pasur një komunikim të vazhdueshëm me Lavdrim Muhaxherin dhe Ridvan Haqifin. Prej tyre të kanë marre urdhrat për sulm terrorist. Ata kanë treguar edhe veprimet konkrete që kanë kryer, si në Kosovë ashtu në Shqipëri, për të realizuar një sulm me eksploziv gjatë ndeshjes Shqipëri-Izrael në Shkodër.

Por, zyrtarisht, Policia e shtetit thotë se është në pritje të deklaratave të këtyre dy bashkëpunëtoreve, që të vijnë në rrugë zyrtare për të kryer edhe verifikimet konkrete në Shqipëri. Nga ana tjetër, edhe burime nga Prokuroria për Krime të Rënda thonë se nuk kanë një informacion zyrtare për këtë fakt, por po presin materialet nga drejtësia e Kosovës.

Ajo që për hetuesit tashmë është saktësuar, janë lidhjet e disa nga 18 të arrestuarve në Kosovë me katër të prangosurit në Shqipëri. Kontaktet mes tyre, thonë burimet, kanë qenë të vazhdueshme për shkak edhe të lidhjeve familjare, pasi Besart Peçi, i arrestuar në Kosovë, është kunati i ish-oficerit të forcave komando Medat Hasani, i arrestuar në Shqipëri. Burimet thonë se edhe takimet mes tyre janë fotografuar në Shqipëri e Kosovë, por pritet të zbardhen detaje të reja në ditët në vazhdim.

Për prokurorin shqiptare, katër të arrestuarit në Shqipëri kanë rolin e mbështetësve dhe shoqëruesve të personave që do të vinin nga Kosova për të kryer akte terroriste në Shqipëri.