Dy të vdekur nga aksidenti në Shtime, një fëmijë në gjendje të rëndë

19.10.2016 10:22:54

Një aksident komunikacioni me fatalitet ka ndodhur të martën në mbrëmje në rrugën magjistrale Shtime-Prishtinë, në fshatin Grackë, ku raportohet për dy të vdekur.

Në aksident ku janë përfshirë tri automjete, kanë mbetur të lënduar edhe 3 persona të tjerë. Këtë e ka bërë të ditur për lajmi.net zëdhënësja e rajonit të Prishtinës, Flora Ahmeti.

Sipas Ahmetit rasti ka ndodhur rreth orës 20:00, në “Grack Të Vogël”.

Vdekjen e dy personave e ka konfirmuar edhe Emergjenca e QKUK-së, ndërkaq ka bërë të ditur se në mesin e të lënduarve në gjendje më të rëndë është një fëmijë.

“Dy persona kanë vdek – një femër me iniciale G.E. mosha e të cilës nuk dihet pasi nuk ka pas ndonjë dokument me vete dhe një mashkull R.E, (1997), që të dytë janë nga rajoni i Shtimes”, thotë për lajmi.net zëdhënësja e QKUK-së, Mirlinda Qyqalla.

Qyqalla ka njoftuar se tre personat e lënduar janë duke u trajtuar në Emergjencë, ndërkaq fëmija gjendet në intensivë.