Dybala: Idhulli im është Ronaldinho, dua të fitoj Championsin

01.05.2017 12:53:55

Te Juventusi po numërojnë orët, që i ndajnë nga ndeshja e parë gjysmëfinale e Ligës së Kampionëve, kundër Monakos, të mërkurën.

Pasi kanë “vënë në akull” titullin e gjashtë radhazi në Seria A, tani tifozët e bardhezinjve janë duke e vendosur shumicën e shpresave të tyre mbi Paulo Dybala në garat europiane, tashmë në rrugën e shenjtërimit në nivelet më të larta. I intervistuar nga faqja zyrtare e UEFA-s në internet, sulmuesi argjentinas ka shprehur ndjenjat e tij për Champions-in:

“Ne e dimë se të dyja ndeshjet do të jenë shumë të vështira. Monako është duke kryesuar kampionatin francez dhe po e bën shumë mirë detyrën në Ligën e Kampioneve. Ky është një kundërshtar i vështirë, që ka lojtarë shumë të forte. Edhe ne jemi në kulmin e mundësive, ndaj pres dy përballje të mëdha. Monako do të sulmojë, sepse do të shënojë sa më shumë gola në gjysmëfinalen e parë, por kjo do të thotë se ne do të kemi hapësira. Në Ligën e Kampionëve mund të jetë viti ynë, ndërsa jemi duke bërë më të mirën në të gjitha garat. Natyrisht, nuk do të jetë e lehtë, sepse janë edhe tri ekipe të tjera, që duan për ta fituar Champions-in, por ne do të japim më të mirën për ta fituar këtë trofe. Champions-i është një nga ambiciet e mia, gjë që vlen edhe për shokët e mi. Ky do të ishte një shpërblim i merituar për shumë lojtarë, që kanë qenë këtu për shumë vite, veçanërisht për Buffon, Marchisio, Bonucci, Barzagli dhe Chiellini. Ata kanë dhënë gjithçka për Juventisin, ndaj uroj të fitojnë këtë trofe, që me të vërtetë e kanë merituar.”Dybala, më tej zbulon lojtarin e tij të preferuar: “Ronaldinho ishte një nga lojtarët e mi të preferuar, që fëmijë. E kam bërë të qartë se duhet të luaj gjithmonë me buzëqeshje. Ndonjëherë, trajnerët dhe lojtarët në Europë nuk e konsiderojnë futbollin siç bëjmë ne në Amerikën e Jugut. Ne kemi argëtim, qeshim shumë, valle e hare, dhe kështu me radhë. Gjithmonë përpiqem që të argëtohem me futbollin, por ky është vetëm mendim im.”