Dyfytyrësia e një urimi!

08.03.2019 10:45:47

 (për ditën e 8 marsit, kushtuar grave revolucionare)

Nga Liridon Amidi
Pa asnjë turp, pa asnjë ndjenjë njerëzore dhe pa fare pak konsideratë ndaj një gruaje, nëne, femre shqiptare, një kryetar komune ngrit aktakuzë ndaj saj, kinse për keqpërdorim detyre. Pa asnjë emocion, tenton ta burgos në burgjet e Serbisë një grua shqiptare. E si mundet një burrë që i thotë vetes kryetar dhe patriot, ta dërgojë drejt burgjeve serbe një grua shqiptare.Ardita, në Preshevë solli revolucion politikë, ajo i tregoi njerëzve se edhe gratë janë peshë politike e kësaj ane, edhe përkundër se ishte në mesin e shumë burrave ajo korri sukses të madh në cilado zgjedhje të mbajtura në Preshevë.

Ardita simboli i gruas, i nënës, i edukatores e mbi të gjitha i femrës shqiptare në Luginë, arriti të bëhet edhe simbol i qëndresës dhe i rezistencës edhe përkundër fyerjeve dhe shantazheve të ashpra ndaj saj nga kryetari i tanishëm i Preshevës.

Ajo kohëve të fundit po përballet me një aktakuzë të ngritur nga kryetari i tanishëm, kinse për keqpërdorim të detyrës. Ata që ngritën aktakuzë kundër saj kanë për synim burgosjen e saj, dhe ta poshtërojnë moralisht.

Morali i një femre shqiptare është më i fort se të gjitha faktet dhe dëshmitë që mund t’i mblidhni për një aktakuzë të tillë ndaj saj. Po e përkufizojë me një thënie: “Një femër e suksesshme është ajo që mund të ngrejë kështjella të larta nga gjithë gurët që i hedhin drejt saj”.

E kështu duke tentuar ta poshtërojnë një grua nga e cila kanë frikë, gratë e tjera as që i konsiderojnë si të gjalla. Prandaj Ardita, duhet të jetë simbol i gruas në këto anë, sepse po i reziston një presioni të ashpër nga një pushtet ordinerësh.

Kur pushteti aktual ka për synim aktakuza ndaj një gruaje, si mund t’ia besojmë më udhëheqjen?!

E si do mundni nesër të ia uroni një gruaje, një nënë, një femre në Preshevë 8 marsin, kur nga ana tjetër tentoni ta burgosni atë?!