E kalova në këmbë”, habit kryeministri i Malit të Zi: Feja e mposht Covid, po je besimtar nuk duhet izolim

13.11.2020 18:03:36

Kryeministri i mandatuar i Malit të Zi, Zdravko Krivokapiç ka habitur me deklaratat e tij në mediat e shtetit fqinj, duke deklaruar se masat kundër pandemisë janë të panevojshme nëse qytetarët janë fetarë, besojnë në Zot.

Ai deklaroi se nëse ka besim, masat kundër kontrollit të koronavirusit janë të pakuptimta dhe se besimi lëviz malet.

Krivokapiç u kritikua ashpër kur në ceremoninë e varrimit të kreut të Kishës Ortodokse Serbe, mitropolitit Amfilohije, u paraqit pa maskë.

“Nëse keni fe, nuk keni asnjë problem, nuk do të infektoheni nga kungimi”, ka thënë ai. I pyetur nëse masat kundër pandemisë së koronavirusit janë ta palogjikshme nëse ka fe, ai tha “natyrisht”.

Portali i njohur “CDM” i ka quajtur këto deklarata të rrezikshme, derisa gazeta “Vijesti” i ka quajtur skandaloze. Edhe partitë politikë e kanë kritikuar për këtë qasje ndaj pandemisë.

“Retorika që kryeministri i caktuar Zdravko Krivokapiç demonstroi publikisht mbrëmë, duke folur për fenë dhe koronavirusin, është skandaloze dhe e rrezikshme. Mandatari tha në emisionin Na?isto TV Vijesti se ai e kapërceu koronavirusin në këmbë, dhe pas kësaj ai deklaroi: “Nëse keni besim te feja, nuk keni asnjë problem, nuk do të infektoheni me kungimin me të njëjtën lugë me besimtarët e tjerë””, shkruan CDM.

Në Malin e Zi kohët e fundit është rritur së tepërmi numri i të prekurve me koronavirus. Deri më tash, në këtë vend me pak mbi 600 mijë banorë, janë regjistruar mbi 25 mijë raste pozitive dhe 364 raste të vdekjes.

Zdravko Krivokapiç ndërkohë është pjesë e partisë proserbe, “Demokracia e Re Serbe” dhe në zgjedhjet e fundit ishte lider i koalicionit fitues “Për të ardhmen e Malit të Zi”. Partia e tij është e lidhur ngushtë me Kishën serbe në Mal të Zi.