E mjerë është ajo opozitë që shpall fitore obstruksionet e Beogradit ndaj Kosovës

20.09.2016 20:18:51

Nga Rexhep Kastrati

Jakup Krasniqi vazhdon të flasë si të ishte plak i katundit, e jo një pjesëtar i thekur i linjës së Tiranës/Kretës që i ka sjellë dhe po i sjell shumë dëm Kosovës. Është e vërtetë se duhet të dialogohet me opozitën, por ky dialog bëhet brenda institucioneve dhe në përputhje me fuqinë politike të marrë nga zgjedhësit. Dialogu me opozitën nuk mund dhe nuk duhet të legjitimojë format jashtinstitucionale të komunikimit dhe të veprimit politik. Po ashtu, opozita në Kosovë si kurrë më parë është bërë fytyra e vërtetë e kundërshtetit dhe me asnjë element nuk ka kryer përgjegjësitë e saj kushtetuese dhe ligjore. Opozita aktuale në Kosovë kishte refuzuar kategorikisht çdo mundësi dialogu, edhe pse kryeministri Mustafa e ftonte çdo herë për dialog. Nga ana e saj, opozita aktuale thoshte se vetëm mund të bisedonte për dorëheqjen e Qeverisë dhe për zgjedhje. Dhe gjithë këtë e shoqëronte me zjarrvënie, anarki dhe bllokim institucionesh. Aq poshtë ra opozita aktuale në Kosovë sa iu gëzua shumë mospjesëmarrjes së serbëve në seancën plenare të 1 shtatorit, duke e paraqitur si fitore. Dhe e mjerë është ajo opozitë që shpall fitore të saj obstruksionet e Beogradit ndaj Kosovës.