Edhe AAK dënon sulmin ndaj RTK-së: akt kriminal dhe i dënueshëm, i kalkuluar për të krijuar një situatë të paqëndrueshme

23.08.2016 11:36:23

Partia Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka dënuar sulmin e mbrëmshëm në objektin e RTK-së duke theksuar se ishte një akt kriminal dhe i dënueshëm.

Sipas AAK-së sulmi i orientuar kundër lirisë së medias, e cila është bazament i çdo demokracie, kjo është një ngjarje e shëmtuar, transmeton Indeksonline.

Gjithashtu AAK ka vlerësuar se sulmuesit duhet të nxirren para drejtësisë dhe çdo vonesë në këtë drejtim krijon atmosferë të pasigurisë.

Ky është postimi i plotë:

AAK vlerëson se sulmi i mbrëmshëm në oborrin e RTK-së, është një akt kriminal  dhe i dënueshëm, dhe mbi të gjitha i kalkuluar për të krijuar një situatë të paqëndrueshme, që nuk mund të jetë në interes të askujt.

Përtej që është një sulm i orientuar kundër lirisë së medias, e cila është bazament i çdo demokracie, kjo është një ngjarje e shëmtuar.

Sulmet e fundit, duke përfshirë edhe këtë të mbrmëshmin kundër RTK-së, shtrojnë urgjencën e mobilizimit të organeve të rendit dhe të drejtësisë, që të zbardhen rastet dhe sulmuesit të nxirren para drejtësisë.  Çdo vonesë në këtë drejtim, krijon një atmosferë të pasigurisë që mund të ketë pasoja të pariparueshme.