Edhe Gjykata Supreme përfshihet nga vala e ndryshimeve

21.02.2017 21:20:29

Pas ndryshimeve të pozicioneve të gjykatësve që u bënë në Gjykatën Penale, ushtruesja e detyrës kryetare e Gjykatës Supreme, Snezhana Bajllozova ka përcaktuar orarin e punës në gjykatën më të lartë në Maqedoni, duke bërë ndryshime radikale në vendet e punës, me çka 10-15 gjykatës nga gjithsej 21 do të kenë vende të reja pune.

Disa gjykatës të cilët kanë punuar në Këshillin Penal, duke përfshirë edhe ish-kryetaren Lidija Nedellkova, janë caktuar të punojnë në departamene më pak të rëndësishme siç është ai i kontesteve qytetare. Vetë kryetarja Bajllozova edhe pse është gjykatëse e kontesteve qytetare ka zënë vend në Këshillin Penal ku zgjidhen çështjet më të rënda gjyqësore.

Lëvizje të ngjashme dje ka pasur edhe në Gjykatën Themelore Shkupi 1, ku bie në sy ndëshkimi i të gjithë gjykatësve që kanë pranuar kërkesat e PSP-së.