“Edhe kodrat kanë sy”

14.03.2019 00:11:14
Nga Liridon Amidi

Po e nis  këtë shkrim në vazhdim, duke menduar e shpresuar se do t’i bjer në sy të gjithëve që ta lexojnë e ta kuptojnë se Zoti krijoi natyrën, po gjithashtu krijoi edhe njerëzit, por për fat të keq njerëzit e shkatërrojnë ngadalë krijimtarinë e Zotit,  edhe pse ka prej tyre që çdo ditë i luten Zotit që t’ia falë gabimet e bëra.

Këta janë përfaqësuesit e Luginës, që me dëshirë apo pa dëshirë janë të zgjedhur, disa ta kalojnë mandatin 4 vjeçar në pozitë, e disa më pak të besueshëm ta kalojnë mandatin e tyre në opozitë. Por, gjithsecili prej këtyre e ka përjetuar karrigen famëkeqe e cila quhet “kryetarllekun”. Disa me vetëm një mandat e disa të tjerë me dy apo tre mandate, vazhdojnë ende të jenë pjesë e pashkëputur e spektrit politikë në Luginë. Ata përfaqësojnë tërësinë territorial të komunës së Bujanocit, si dhe të komunës së Preshevës. Kur them tërësinë, për fat të keq duhet ta përmirësoj dhe të them se përfaqësojnë vetëm interesat e veta dhe të grupeve të veta që kanë krijuar me vite. Ata gjithmonë pranë zgjedhjeve elektorale, përgatiten fort që të dalin sa më bindshëm para qytetarëve dhe fshatarëve të këtyre komunave. Ata harrojnë gjithsesi t’i plotësojnë premtimet e kaluara gjatë mandatit, e prapë I përsërisin gjatë zgjedhjeve të reja.

Këta përfaqësues, këta lider, nuk janë aspak të dështuar politikisht, ata fare nuk mund t’i quajmë injorant, sepse ditën mire ta ruajnë qëndrimin e tyre ndaj popullit edhe përkundër se nuk i gjetën asnjëherë zgjidhje problemeve të po këtij populli.
Një ndër premtimet e tyre që edhe në vazhdim po mbetet peng I mos zgjidhjes së problemeve, është Malësia e Bujanocit dhe Karadaku I Preshevës.

Premtimet e këtyre liderëve, na bënë të shpresonim çdo ditë e më tepër se jeta e fshatrave të këtyre pjesëve të harruara do të rikthehet, por këta lider sa vijnë e shkojnë duke e thyer ngadalë një shpresë që vet e ngjallin çdo 4 vjet.

Sot Malësia e Bujanocit si dhe Karadaku i Preshevës, janë të harruara tërësisht nga pushtet lokale të tyre, ato nuk kanë infrastrukturë të zhvilluar, s’kanë shkolla të renovuara, s’kanë ujësjellës, s’kanë energji, s’kanë mjete të informimit, e disa prej tyre nuk kanë as banor, në tërësi në këto fshatra kanë mbet aq pak banor sa mund t’i numërosh nëpërmjet gishtave.
Shteti serb ata I largojë për shkak luftës së fundit në Kosovë, e pushteti në Luginë nuk bëri asgjë që t’I rikthej këta banor qe 20 vite, e ata sot vuajnë në Kosovë për vendlindjen e tyre, por vuajnë edhe për jetën, që nuk kanë as dokumente identifikimi, ndjehen të huaj në shtetin amë, por ndjehen dhe të padëshiruar në vendlindje.

Sot fshatrat e thellë të Malësisë së Bujanocit dhe Karadakut të Preshevës, janë harruar tërësisht sa që atje mund të shkosh vetëm në ëndërr, ato fshatra janë kthyer në ishuj, e dal ngadalë po kthehen në ishuj të vdekjes. Ato fshatra do të mbesin legjendë e shkruar për pasardhësit, që mos të shkojnë atje sepse kush kalon nëpërmjet fshatrave është I mallkuar. Aq janë të mbushura me mllef ato fshatra sa që kanë filluar ti mallkojnë njerëzit. Edhe kodrat kanë sy edhe malet kanë vesh. Kurse njerëzve sytë iu janë mbushur pluhur, e nuk shohin fare për rreth tyre se çka I rrethon, e kërkesat tona si duket po bien në vesh të shurdhër.

Sot e nesër do të jetë e pamundur të i besojmë dikujt që do t’i ringjall sado pak ato fshatra, do të jetë e pamundur për dikë që t’na e rikthej shpresën e shkelur me vite.