Edhe Parlament edhe protestë, opozita sërish në shesh

28.03.2019 10:05:36

Kuvendi mblidhet sot në seancën e radhës parlamentare, ku pritet të bëhet edhe betimi i tre deputetëve të rinj të opozitës, të cilëve KQZ iu dha mandatin.

Ndërkohë për të shtatën herë me radhë, opozita ka thirrur protestë para Parlamentit.

Partia Demokratike dhe Lëvizja Socialiste për Integrim, bashkë me ish-deputetët dhe mbështetësit e tyre në orën 09.30 do të mblidhen para godinës së Parlamentit, për të protestuar.

Sakaq protestuesit nga rrethet janë nisur qysh prej orëve të para të mëngjesit të sotëm, për tu bërë bashkë para nisjes së seancës parlamentare.

Kjo është protesta e shtatë e opozitës, me anë të së cilës kërkohet largimi i Kryeministrit Edi Rama, krijimi i një qeverie tranzitore dhe zgjedhje të parakohshme. Ndërkohë më 13 prill, opozita ka thirrur një protestë masive.