Edhe Vetëvendosje deklarohet pro Ushtrisë, ka mbetur vetëm LDK-ja pa qëndrim zyrtar

08.03.2017 19:34:48
Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Rexhep Selimi duke folur për transformimin e FSK-së në Ushtri ka thënë se partia ku ai bën pjesë ka një qëndrim të prerë për këtë.

“Sido që të jetë, Lëvizja Vetëvendosje ka mbetur e palëkundur që nga vitit 2014, kur edhe atëherë e ka mbështetur dhe mbështetë ndryshimet kushtetuese për transformimin e FSK-së”.

“Do ta mbështesim çfarëdo ndryshimi kushtetues që garanton avancimin e kapaciteteve ushtarake të Kosovës”, ka thënë Selimi.

Selimi në një lidhje telefonike në Info Magazine të Klan Kosovës është shprehur i rezervuar për votimin e Projektligjit për Ushtrinë.

“Ne do ta shohim materien, ne kemi mbështetur ndryshimet kushtetuese për transformimin e FSK-së, ne mbështesim ndryshimin e misionit të FSK-së, e mbështesim dhe e kemi mbështetur në vazhdimësi”.

Ai ka folur edhe për shqetësimin e ndërkombëtarëve lidhur me këtë iniciativë të presidentit Thaçi.

“Duhet të dimë se për çfarë janë të shqetësuar ndërkombëtarët, Lëvizja Vetëvendosje janë unik sa i përket rritjes së kapaciteteve të FSK-së”.

“Duhet të dimë nëse shqetësimet e ndërkombëtarëve kanë të bëjnë me materien që sipas tyre e atakojnë Kushtetutën e Kosovës”.

Zyrtarisht ende nuk është deklaruar LDK-ja nëse e mbështetë transformimin e FSK-së në Ushtri apo jo. Edhe pse fillimisht janë deklaruar disa deputetë të LDK-së pro kësaj iniciative, pas deklaratave kundërshtuese të NATO-s dhe SHBA-ve, shihet tërheqje dhe mosdeklarim.

As kryeministri Mustafa ende nuk është deklaruar.

Të kujtomë se AAK dhe Nisma janë deklaruar pro kalimit të ligjit që FSK-së e shndërron në Ushtri.