Edi Rama-BE-së: Po s’na kapët në kohë, do iu kushtojë shumë të ‘martoheni’ me ne

05.12.2017 23:38:19
Kryeministri Edi Rama ka mbajtur një fjalë ditën e sotme në Bruksel gjatë Forumit të Ballkanit Perëndimor “Miqtë e Europës”, ku ka folur lidhur me rrugën e integrimit të Shqipërisë në BE.

Rama ia dedikoi rrugëtimit të Shqipërisë drejt BE-së, reformat e mëdha të ndërmarra vitet e fundit, veçanërisht reformën në drejtësi.

Sipas Ramës, ky është shansi i Shqipërisë dhe Ballkanit perëndimor për t’u shkëputur nga e shkuara dhe për t’u martuar me një union të shkëlqyer, i cili sipas tij është gjithashtu gati të martohet me Shqipërinë por kërkon ende kohë.

“Ndoshta ne kemi një shans për t’u divorcuar përfundimisht me të shkuarën dhe të martohemi me një union të shkëlqyer, i cili na thotë se do të martohemi por nuk na thotë se kur. Në qoftë se nuk do të ndodhë shpejt, do të na ndihmojë të rritemi në mënyrë të shëndosh. E gjithë pjesa e dhimbshme e procesit, etiketat e vendosura, janë shumë të rëndësishme. Është themelore të ndërtojmë institucione.

Duke përdorur sërish simbolikën e martesës, Rama lëshoi edhe një kërcënimi ndaj BE, duke i kujtuar Europës ndikimin rus në Ballkan e veçanërisht ndikimin e ekstremizmit islamik.

“Po nuk na kapët në kohë, atëherë do t’ju kushtojë më shumë të martoheni me ne”, tha Rama, duke shkaktuar të qeshura në sallën ku zhvillohej konferenca.