Edi Rama bën konspiracion me protestën e opozitës: Organizohet për shkaqe që nuk thuhen

20.02.2017 15:15:52

Kryetari i PS-së Edi Rama u ka kërkuar deputetëve të grupit parlamentar socialist të mos merren me protestën por të përgatiten për seancën e të enjtes si dhe të shpërndahen nëpër zona

“Deputetët të shpërndahen nëpër zona, të deleguarit nëpër qarqe. Të enjten përgatituni për Parlament” mësohet të ketë thënë Rama.

“Situata duhet parë si shtysë për të vazhduar intensivisht organizimin e punës për zgjedhjet. Për të komunikuar gjithandej me njerëzit. Ne s’kemi çfarë ndryshojmë. Duhet të vazhdojmë normalisht detyrat tona qoftë në Parlament, qoftë në qeveri.

Praktikisht protesta është organizuar për qëllime që nuk thuhen nga ana e tyre, por që dihen. Edhe bojkoti i Parlamentit është një mekanizëm i qarte për të bllokuar përzgjedhjen e komisioneve të vetingut, që duhet të fillonte javën e ardhshme.

Formulat janë të tilla që të dyja komisionet e vettingut, qoftë shkalla e parë, qoftë apeli nuk formohen dot pa opozitën.

Nëse bojkoti nuk do kishte ndodhur, mund të ishte e vështirë të provohej se protesta bëhet për të bllokuar vettingun. Por bojkoti është prova që gjithçka ka të bëj me vettingun.

PD ka kohë që kërkon alibi për humbjen e radhës, por ne s’kemi ç’bëjmë. Ata kërkojnë gjera që nuk varen nga ne. Ne nuk i kemi penguar, madje i kemi kërkuar që çdo shqetësim që ka të bej me zgjedhjet të adresohet në komisionin e Reformës Zgjedhore. Madje kemi thënë se çdo kërkesë e opozitës për të cilën OSBE/ODIHR jep mbështetje, ka automatikisht edhe mbështetjen tonë”, mësohet se ka thënë Edi Rama.