Edi Rama: Nisim llogaridhënien publike, do lançojmë programin e punësimit

02.05.2018 13:22:46

Kryeministri Edi Rama deklaroi, i pranishëm në takimin “Projektet për Shqipërinë që duam” deklaroi se do të nisë fushata e llogaridhënies publike. Ai shtoi janë të vetëdijshëm se ka shumë për të bërë.

“Nisim fushatën e llogaridhënies publike për çka kemi bërë në gjashtë muajt e parë të qeverisjes e çfarë duam të bëjmë më tej, por edhe për të dëgjuar qytetarët në çdo njësi administrative të Shqipërisë, për çka ata mendojnë lidhur me punën tonë”, tha Rama.

Gjithashtu ai deklaroi se do të lançohet programi kombëtar i punësimit, ku do të tregohet me detaje në lidhje me mundësitë e punësimit në çdo sektor.

“Ajo që mbetet për tu theksuar fort është që ne të vijojmë bisedimet me qytetarët për punësimet. Gjatë kësaj fushate do të lançohet edhe programi kombëtar i punësimit, ku ne do të tregojmë mundësitë e reja të punësimit në çdo sektor. Dje ne pamë nga afër se jemi në një periudhë kur kompanitë po krijojnë vende pune dhe kanë nevojë për të gjitha kategoritë.

Ajo që mbetet, një sfidë e madhe është intensifikimi mes zyrës së punës dhe kompanive për të mundësuar sa më shumë punësime mes punëkërkuesve të zyrave të punës.

Shteti nuk është punëdhënës, por punëkrijues. Duhet të luftojmë fort mendësinë që vetëm puna në shtet është punë”, deklaroi Rama.