Edita Tahiri për herë të parë: Kodi +383 i ishte ndarë Kosovës në vitin 1980 nga ITU

14.11.2016 20:08:26

Dje është arritur Marrëveshja për kodin telefonik shtetëror të Kosovës, mes Republikës së Kosovës dhe Serbisë me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian.

Kjo marrëveshje ka bërë që të ketë reagime të shumta në Beograd, ku kreu i të ashtuquajturës Zyrë për Kosovën, Marko Gjuriq, sot tha se Serbia është pronare e kodit +383, jo Kosova.

Mirëpo, për këtë deklaratë të Gjuriqit ka reaguar Ministrja për Dialog, Edita Tahiri e cila për lajmi.net ka qartësuar gjithë dyshimin që ai (Gjuriq) hodhi mbi këtë marrëveshje.

Kryenegociatorja në Dialogun e Brukselit, tha se zyrtarët e Serbisë e kanë obligim të zbatojnë këtë marrëveshje nëse e dëshirojnë BE-në.

“Zyrtarët e Serbisë e kanë obligim të zbatojnë këtë marrëveshje, nëse dëshirojnë t’iu hapën kapitujt në raport me Bashkimin Evropian”, tha Tahiri.

“Sa i takon marrëveshjes, është plotësisht në dobi të Kosovës”, kjo sipas saj për faktin se “Kosova bëhet e pavarur me kodin e vet telefonik dhe fiton sovranitetin ndërkombëtar me kodin telefonik që do të jetë +383”.

Tahiri tha, se me këtë rast Serbia ka njohur pavarësinë e Kosovës në fushën e telekomunikacionit. Po ashtu, Tahiri rikujtoj, se kjo marrëveshje është edhe në dobi të Serbisë, pasi që asaj i duhet të krijoj fqinjësi të mirë për të hyrë në BE.

“Kjo marrëveshje e ndihmon edhe Serbinë, sepse nëse kjo e fundit dëshiron t’i normalizojë marrëdhëniet me Kosovën, duhet ta njohë shtetin e Kosovës, në atë rast do ta ketë më me perspektivë integrimin evropian. E dinë Serbia, që kushti i fqinjësisë së mirë është një prej kritereve të integrimit evropian”, theksoi ajo për lajmi.net.

Gjuriq po ashtu tha se Kosova do të merr kodin +383, por ai “nuk është kod ndërkombëtar, por kod i zonës gjeografike, pronari i së cilës është Republika e Serbisë”.

Mirëpo një gjë të tillë e ka hedhur poshtë ministra për dialog, e cila tha se kodi +383 nuk ka asnjë ndërlidhje me Serbinë, pasi ajo qartëson se kodi për Kosovën është ndarë që prej vitit 1980 nga ITU.

“Kodi +383, është kod shtetëror i Republikës së Kosovës, për këtë kod ka aplikuar Austria në emrin tonë, sepse në nuk jemi anëtarë të OKB-së ende. Ndërsa, sa i takon asaj çfarë kodi është, po ju tregoj që ITU në vitin 1980 i ka ndarë tetë njësive federale te ish- Jugosllavisë tetë kode telefonike. Ky është kodi jonë që na ka taku prej asaj kohe, por që e ka pengu Serbia që ne ta marrim dhe më në fund përmes marrëveshjes së Brukselit në e morëm kodin shtetëror telefonik”, theksoi ekskluzivisht zonja Tahiri.

Ajo ndër tjerash thotë, se “Kodi është +383, pra, që tregon se është i pavarur dhe jo siç po thotë zotëri Gjuriq, sepse do të kishte ndërlidhje me kodin e Serbisë që është +381 dhe këto nuk kanë aspak ndërlidhje. Kjo do të thotë se ne jemi +383, Serbia +381, Maqedonia +389, Sllovenia +386 e kështu me radhë.”

Tahiri jep edhe një historik rreth asaj se si njësive federale të ish- Jugosllavisë iu ndanë kodet.

“Me 1980 ITU ka ndarë kodet prej +381 deri në +389, dy kanë qenë të lira, ne e morëm +383, ndërsa +384 i takonte Vojvodinës, por meqë Vojvodina ka mbetur brenda Serbisë nuk mund ta merr, por ne jemi bërë shtet i pavarur dhe e kemi marr kodin”, deklaroi Tahiri.

Gjuriq po ashtu tha se Telekomi i Serbisë do të transferoj asetet në kompaninë e saj simotër të MTS-së në Kosovë.

“Fjala është për asetet që kompania që është regjistruar në Kosovë si degë e MTS-së në Serbi, me ligj kur një kompani e huaj hap një degë në një shtet tjetër është normale që ia jep edhe një pjesë të aseteve. Ndërsa, çka ka provuar Serbia të kërkoi është me i uzurpuar asetet e Telekomit të Kosovës, atë ne nuk e kemi lejuar, pra zotëri Gjuriq po flet vetëm për asetet e MTS-së, ndërsa asetet e Telekomit të Kosovës ne i kemi mbrojtur, ato janë të Telekomit të Kosovës”, tha Tahiri.

Sipas Tahirit, “Telekomi i Kosovës, nëse do mund t’ia jep me qira, për përdorim kësaj kompanie, po flasim për asetet e telefonikë fikse.”

“Pra, këtu është dallimi, ai (Marko Gjuriq) flet për asetet MTS-së, ndërsa ajo çka është provuar dhe kanë kërkuar është se edhe ato të Telekomit të Kosovës të transferohen sepse në okupim ishin të okupuara, kërkesa e tyre është refuzuar kategorikisht”, u shpreh Tahiri.

Me tutje ajo tha, se “kompania e re duhet të hy në kontratë me telekomin, duhet t’i kërkoj telekomit që është pronare e aseteve të veta, duhet të kërkoj nga ajo nëse ia jep në shfrytëzim me qira. Pra po flasim për dy lloj transferosh, një transfer për përdorim që është asetet e Telekomit të Kosovës dhe Gjuriqi po flet për asetet e MTS-së që është normale të hap një degë në një shtet tjetër dhe është normale që do t’i jep degës ndonjë aset për të vepruar.” /Lajmi.net/