Editë, është koha për të shpjeguar lidhur me kodin telefonik dhe lidhur me murin në Mitrovicë

12.12.2016 16:48:20

Nga Rexhep Kastrati

Marrëveshja për Telekomin u paraqit si një sukses i negociatave në Bruksel, por kujtoj se ka nevojë për t’u sqaruar e vërteta për të. Bëhet fjalë për pretendimet se kodi +383 është kod gjeografik e jo kod shtetëror, si dhe për falje të një borxhi që telekomi i Serbisë i ka telekomit të Kosovës, e që përmendet një shifër prej 1.2 miliardë. Opinioni i ka të qarta shpjegimet që ka dhënë Edita Tahiri lidhur me këtë marrëveshje, e dhe që e ka paraqitur si kod shtetëror, por ka nevojë të sqarohet më tej kjo çështje, sidomos pas letrës që Serbia ia ka bërë ITU-së për dhënien e këtij kodi Kosovës. Kurse lidhur me pretendimet se me këtë marrëveshje i janë falur telekomit të Serbisë rreth 1.2 miliardë borxh që ia ka pas telekomit të Kosovës, ende nuk ka ndonjë shpjegim. pra, duhet të shpjegojë a është e vërtetë se janë falur 1.2 miliardë borxh apo jo.

Nevoja për të shpjeguar rreth kësaj çështjeje ka dalë edhe për shkak se opinioni nuk ka qenë informuar as për marrëveshjen për një të ndarë muri, apo edhe formë e thjesht dhe mëe ulët e ndarjes së tillë. Fakti se është mbajtur fshehtë kjo pjesë e marrëveshjes, e bën më të domosdoshme nevojën për shpjegime si për telekomin, ashtu edhe për marrëveshjen për revitalizimn e Urës së Ibrit. Pjesë e shpjegimeve duhet të jenë të gjitha hollësitë dhe detajet tjera si për përmbajtjen e marrëveshjeve, ashtu edhe për kohën kur kanë zënë fill ato. Është e qartë se vitin e kaluar katër marrëveshje janë arritur në pako, dhe kjo është bërë me këmbënguljen e delegacionit të Kosovës, por gjithsesi, sikurse marrëveshjet tjera, edhe këto duhet të kenë një origjinë të hershme pra vite më parë, përaktësisht që në fillim të negociatave, apo më saktë, që nga marrëveshja e 19 prillit 2013. Në këtë kuptim, a ka gjëra që janë mbasjtur fshehtë më parë, a është raportuar saktësisht në institucionet përaktëse të shtetit dhe cilat janë reperkusionet nga marrëveshjet e tilla.

Nëse, ndërkaq, gjithçka është në rregull, pra që nuk i është falur borxh telekomit të Serbisë, apo nëse nuk është e vërtetë se kodi telefonik është kod gjeografik, por është kod shtetëror, duhet të jepen fakte se është kështu, e jo veç të bazohemi në interpretime që Edita Tahiri ia ka bërë marrëveshjes për telekomin, apo edhe të mjaftohemi me heshtjen për pretendimet se i janë falur 1.2 miliardë borxh telekomit të Serbisë. Kjo vlen edhe për marrëveshjen për revitalizimin e Urës së Ibrit, sepse sado që mund të mos jenë substanciale këto detaje, megjithatë janë shumë të ndjeshme për opinionin dhe mundësi për t’i keqpërorur në angazhime kundërshtetërore. Transparenca për të gjitha këto është e domosdoshme, sepse në këtë mënyrë eliminohen të gjitha mundësitë për keqpërdorime dhe për keqinterpretime.