Eduard Kukan ia shuan shpresat Kosovës

18.04.2018 22:54:37

Anëtari i Komisionit të Punëve të Jashtme të Parlamentit Evropian dhe kryetar shumëvjeçar i Komitetit për Bashkëpunimin me Ballkanin Perëndimor, Eduard Kukan

Anëtari i Komisionit të Punëve të Jashtme të Parlamentit Evropian dhe kryetar shumëvjeçar i Komitetit për Bashkëpunimin me Ballkanin Perëndimor, Eduard Kukan, ka deklaruar se Kosova, ashtu si Bosnjë-Hercegovina nuk duhet të presin raporte pozitive nga Komisioni Evropian këtë vit

Sipas tij, sundimi i ligjit dhe aspekte ekonomike të vendit janë ende nën një pikëpyetje të madhe, ndërsa normalizimi i marrëdhënieve me Serbinë është në stanjacion, me shkallëzime të herëpashershme dhe tensione në të dyja palët.

Komisioni Evropian beson se reformat në Kosovë janë ngadalësuar në sajë të periudhës së zgjedhjeve vitin e fundit në Kosovë.

Në prag të publikimit më 17 prill të raportit të përparimit për gjashtë shtetet e Ballkanit Perëndimor, Brukseli bëri të ditur se mbështetja dhe fokusi i Brukselit për procesin e zgjerimit nuk do të ndikojë në asnjë formë vlerësimin për gjendjen e demokracisë, sundimin e ligjit, të të drejtave të njeriut, ekonomisë dhe përputhshmërinë me standardet e BE-së në secilin nga gjashtë shtetet partnere në rajon.

Shqipëria dhe Maqedonia, sipas informacioneve të para nga raporti vjetor i Komisionit Evropian, do të marrin rekomandime për hapjen e negociatave të anëtarësimit me BE.
Në krye të këtij viti, Presidenti i Komisionit Evropian, Jean-Claude Juncker, tha se nëse Shqipëria vazhdon në këtë mënyrë në rrugën e reformave, Komisioni do t’i japë një rekomandim për të nisur negociatat e anëtarësimit brenda gjashtë muajve të parë të 2018-ës. Dhe kjo me sa duket do të ndodhë. Jozyrtarisht, DW mësoi nga burime diplomatike të Brukselit se zyrtarë të lartë të BE-së kanë zhvilluar diskutime me shtetet anëtare për hapjen e negociatave të anëtarësimit me Shkupin dhe Tiranën praktikisht deri në momentin e miratimit të raporteve.