Ekspozitë letrare e fotografike nga jeta dhe veprimtaria e Adem Demaçit

03.09.2016 15:08:14

Veprimtari, atdhetari e letrari i njohur Adem Demaçi është paraqitur në një përmbledhje të shkurtër nëpërmjet një ekspozite letrare e fotografike të organizuar nga Shoqata e të Burgosurve Politik të Kosovës.

Ekspozita është ndarë në disa pjesë si: Familja, veprimtaria e tij dhe gjykimet të cilat i janë bërë nga ish-shteti jugosllav për shkak të veprimtarisë së tij atdhetare e kombëtare.

Selatin Novosella, ish i burgosur politik, ka treguar se çka përmban ekspozita.

Një pjesë e ekspozitës e cila është organizuar për nder të 80 vjetorit të lindjes së Adem Demaçit i është kushtuar veprimtarisë së tij letrare.

Selatin Novosella është shprehur se një prej segmenteve më të rëndësishme në jetën e Demaçit është krijimtaria letrare.

Në ekspozitë janë të publikuara edhe fotografi dhe dokumente të jetës së Adem Demaçit gjatë gjykimeve të tij.

Novosella ka treguar edhe disa materiale, fotografi e dokumente të veçuara nga jeta e tij për t’i paraqitur në këtë ekspozitë.

 Ekspozita e cila është organizuar dhe përkrahur nga Shoqata e të burgosurve politik, Instituti i Historisë, ai i Albanologjisë, Ministria e Drejtësisë, e Kulturës dhe MASHT-i, do të qëndrojë e hapur edhe për disa ditë në objektin e Shoqatës së të Burgosurve Politik në Prishtinë, ku është e hapur për të gjithë qytetarët dhe pastaj do të përmbyllet në Tiranë.