Emergjencat Civile: Situata e motit dhe masat deri në orën 21:00

07.01.2017 22:46:32

Temperaturat nën zero dhe dëbora e rënë kanë krijuar vështirësi në qarkullimin rrugor, sidomos në akset që lidhin zonat rurale, e shoqëruar kjo edhe me probleme të furnizimit me energji elektrike.

Strukturat e Emergjencave Civile në qarqe dhe firmat për pastrimin e dëborës kanë qenë në krye të detyrës ndërsa Policia Rrugore ka vijuar me kontrollin e mjeteve për pajisjen me zinxhirë në akset me probleme të akullit e borës në rrugë.

Nga informacionet më të fundit rezulton që në një pjesë të mirë të zonave ku ka pasur mungesë energjie, është stabilizuar gjendja, ndërsa po punohet për të rregulluar defektet në zonat që kanë mbetur pa energji.

Ndërkohë siç njoftohet nga buletinet meteorologjike, në 12 orët në vazhdim pritet që të ketë ulje të mëtejshme të temperaturave të ajrit sidomos në zonat malore.

Nga informacionet e mbledhura në Drejtorinë e Emergjencave Civile, situata në akset rrugore në të gjithë vendin, deri në orën 21:00 të mbrëmjes së sotme paraqitet si më poshtë:

QARKU KUKËS
Të gjitha akset rrugore nacionale janë të qarkullueshme me zinxhirë.
Në Rrugën e Kombit po punohet me mjete borëpastruese për pastrimin e saj nga bora dhe akulli.
Akset Kukës- Has-Tropojë dhe Tropojë-Qafë Morinë qarkullimi kryhet me zinxhirë.
Akset rurale të njësive administrative: Grykë Çajë, Kalis, Arrën, Surroj, Topojan Shishtavec, vijojnë të jenë të bllokuara.
Akset rurale të njësisë administrative Gjinaj, Has, janë bllokuar nga reshjet e dëborës.
Në disa fshatra të njësive administrative, Lekbibaj, Gjinaj, Grykë Çajë, Arrën, Kalis, Bushtricë ka pasur mungesë të energjisë elektrike.

QARKU DIBËR
Aksi rrugor kombëtar Qafë Bualli-Peshkopi, njësia administrative Maqellarë, qarkullimi kryhet me zinxhirë. Policia po mban në monitorim këtë aks rrugor ndërsa janë angazhuar 4 mjete borëpastruese.
Aksi rrugor Peshkopi -Lurë, vazhdon të jetë i bllokuar. Po punohet me një fadromë për hapjen e saj.
Aksi rrugor Peshkopi –Selishtë është i kalueshëm me zinxhirë. Pas një pune intensive është bërë e mundur hapja e këtij aksi rrugor.
Rruga Ura e Çerenecit-Steblevë, është hapur dhe qarkullimi i mjeteve bëhet me zinxhirë.
Aksi rrugor Peshkopi-Kala e Dodës, qarkullimi i mjeteve bëhet me zinxhirë.

QARKU SHKODËR
Aksi rrugor Shkodër-Qafë Thore-Theth është i bllokuar pasi trashësia e borës ka arritur 1 metër. Po punohet me 4 fadroma për hapjen e këtij aksi rrugor.
Aksi rrugor Shkodër- Bregu Lumit është i bllokuar në vendin e quajtur Mali i Shoshit. Po punohet me 2 fadroma për hapjen e aksit rrugor.
Në tre njësitë administrative Shalë, Shosh dhe Pult vazhdon të jetë problem mungesa e energjisë elektrike.
Aksi rrugor Qaf Mali-Fierzë është i bllokuar. Trashësia e dëborës është 1.2 metër. Po punojnë 2 borëpastruese dhe 1 fadromë për hapjen e aksit rrugor.
Aksi rrugor Bardhet-Iballë dhe Qafë Qerreti -Qelëz, është i bllokuar. Trashësia e dëborës në Qafë Shari është rreth 70 cm. Po punojnë 2 fadroma për hapjen e aksit rrugor.
Aksi rrugor Fush Arrëz – Qafë Shllak, është i qarkullueshëm me zinxhirë. Trashësia e dëborës është 1 m.
Po punojnë 2 fadroma në këtë aks rrugor.
Aksi rrugor Qafë Çelë – Pukë-Fushë Arrës, i kalueshëm me zinxhirë.
Po punojnë 4 borëpastruese dhe 1 fadromë në këtë aks rrugor.
Aksi rrugor Hadroi – Qafë Benë, i kalueshëm me zinxhirë. Po punojnë 1 borëpastruese dhe 1 fadromë për mirëmbajtjen e këtij aksi rrugor.
Si shkak i motit me erë të fortë ka pasur probleme furnizimi me energji elektrike në bashkinë Pukë dhe në disa fshatra të Njësive Administrative Iballë, Fierzë, Blerim dhe Gjegjan.
Segmenti rrugor Bogë – Qafë Thore, Selcë (Shkemb i Kuq) – Budaqë (Vermosh) janë të bllokuara. Në vendin e quajtur “Gropat e Selcës” ka rreth 70 cm dëborë.
Po punojnë tre fadroma nga Drejtoria e Përgjithshme e Emergjencave Civile dhe Ministria e Mbrojtjes për hapjen e akseve rrugore në bashkinë Malësi e Madhe.
Segmenti rrugor Shllak- Temal vazhdon të jetë i bllokuar.

QARKU LEZHË
Aksi rrugor Kallmet-Ungrej, është i qarkullueshëm me zinxhirë.
Aksi rrugor Rrëshen- Tuneli i Kalimashit është i kalueshëm me zinxhirë. Firma kontraktore po punon me 7 borëpastruese për të siguruar kalueshmërinë në rrugë.
Aksi rrugor Rrëshen – Burrel është i hapur por në pjesë të caktuara ka vështirësi kalimi si pasojë e ngricave. Firma kontraktore po punon me fadroma për të mbajtur të hapur rrugën.
Akset rrugore rurale të njësive administrative, Fan, Orosh, dhe Selitë janë bllokuar nga dëbora e cila ka arritur trashësinë 35-100 cm. Firmat kontraktore janë duke punuar, por ka vështirësi për shkak të ngricave.
Në njësitë administrative Fan, Orosh dhe Selitë ka mungesë të energjisë elektrike.
Policia Rrugore po monitoron kalimin e automjeteve në akset rrugore.

QARKU ELBASAN
Aksi rrugor Librazhd-Stëblevë pas një pune intensive është bërë i kalueshëm me zinxhirë. Në Njësinë Administrative Stëblevë është rikthyer në normalitet furnizimi me energji elektrike.
Në Njësitë administrative: Kodovjat dhe Skënderbegas të bashkisë Gramsh pas një pune nga grupet e OSHEE është rikthyer energjia elektrike.
Situata është drejt normalitetit.

QARKU KORÇË
Të gjitha akset rrugore janë të qarkullueshme pa zinxhirë, me përjashtim të aksit rrugor Pogradec-Lin i cili është i qarkullueshëm me zinxhir.
Nuk raportohen probleme të furnizimit me energji elektrike dhe ujë të pijshëm.