Enver Hoxhaj me porosi për Albin Kurti para nisjes për në Paris

21.06.2021 11:09:18

U.D së kryetarit të Partisë Demokratike të Kosovës, Enver Hoxhaj ka kritikuar kryeministrin e vendit, Albin Kurti për paraqitjen e tij në takimin e parë në kuadër të rifillimit të dialogut Kosovë-Serbi.

Hoxhaj përmes një publikimi në rrjetin social Facebook, deklaroi se java e kaluar shënoi mjerimin politik të kësaj Qeverie, duke thënë se këtë “me cirkuset e tij diplomatike e manifestoi Albin Kurti”.

“Në vend të njohjes nga Serbia, në Vjenë ai kërkoi mos sulmimin nga ajo. Në vend se të zotohet për zbatimin e Marrëveshjes së Uashingtonit dhe forcimin ekonomik të vendit, mohoi ligjshmërinë e saj”, shkroi ai.

Hoxhaj njëashtu tha se pret nga Kurti që të sillet me përgjegjshmëri shtetërore dhe institucional në takimin që do të zhvillohet në Paris me presidentin Macron.

Postimi i plotë:
Java e kaluar shënoi mjerimin politik të kësaj Qeverie, që me cirkuset e tij diplomatike e manifestoi Albin Kurti. Në vend të njohjes nga Serbia, në Vjenë ai kërkoi mos sulmimin nga ajo. Në vend se të zotohet për zbatimin e Marrëveshjes së Ëashingtonit dhe forcimin ekonomik të vendit, mohoi ligjshmërinë e saj. Meqë këtë javë Kosovën e pret një tjetër takim i rëndësishëm dhe i vështirë në Paris, uroj që Albin Kurti të ketë reflektuar mbi marrëzitë e tij politike të ditëve të fundit e mjerimin anarakist dhe të sillet me përgjegjshmëri shtetërore e institucionale.