Erdogan asnjë fjalë për Kosovën në Serbi, ndërsa angazhohet për autostradën Beograd – Sarajevë

10.10.2017 18:57:39

Presidenti i Republikës së Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan sot në Beograd deklaroi se projekti i autostradës mes kryeqyteteve të Bosnjë e Hercegovinës (BeH) dhe Serbisë duhet sa më parë të realizohet.

“Sot zhvilluam takime shumë të dobishme, ndërsa do të kemi rastin t’u adresohemi afaristëve, një pjesë e të cilëve tashmë vepron në Serbi, ndërsa një pjesë e tyre ka arritur dhe janë investitorë potencial në Serbi. Bëhet fjalë për afaristë të dëshmuar, të suksesshëm dhe aktiv. Besoj se hapat e tyre do të ndihmojnë në zhvillimin e Serbisë”, tha Erdoğan duke folur për takimet e sotme me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq.

Presidenti i Turqisë, Erdoğan e falënderoi Vuçiqin për pritjen në aeroportin “Nikolla Tesla”, të cilën e bëri mbrëmë me ministrat e Qeverisë së Serbisë.

Shkëmbimi tregtar do të rritet në tre miliardë dollarë

Erdoğan rikujtoi se më herët para shtatë vitesh në Serbi ka qëndruar si kryeministër, ndërsa sot është në Beograd si president dhe në shoqëri të dhjetë ministrave dhe një numri të madh të afaristëve.

Presidenti turk tha se nuk mund të harrojë mbështetjen e presidentit të Serbisë Aleksandar Vuçiq gjatë tentimit të grusht shtetit, të cilin vitin e kaluar në Turqi tentoi ta kryejë organizata terroriste FETO.

Erdoğan shprehu bindjen se vëllimi tregtar mes Turqisë dhe Serbisë deri në fund të këtij viti do të jetë një miliard dollarë, por këtë e vlerësoi si të pamjaftueshëm dhe tha se kjo shifër duhej të shkonte deri në tre miliardë dollarë.

Presidenti i Turqisë theksoi projektin e rëndësishëm të ndërtimit të autostradës mes Beogradit dhe Sarajevës.

“Do të ketë nga ata që nuk do ta vlerësojnë për të mirë afrimin e Turqisë dhe Serbisë, por ne do të vazhdojmë me bashkëpunimin. Ne po marrim hapa të përbashkët për të zgjidhur disa probleme në të gjitha pjesët e Ballkanit. Për shembull rrugën nga Beogradi deri në Sarajevë duhet sa më shpejtë ta ndërtojmë. Pse? Sepse rrugët janë civilizim”, sqaroi Erdoğan.

Duke folur për projektin e Rrjedhës Turke ai shprehu pritjet për realizimin e saj edhe lidhur me pjesën që prek Serbinë, ndërsa përmendi se konsideron se mendim pozitiv për këtë çështje ka edhe presidenti rus Vladimir Putin.

Presidenti i Turqisë, duke kujtuar se sot mes dy vendeve janë nënshkruar 12 marrëveshje, njoftoi për nënshkrimin edhe të katër marrëveshjeve të tjera ditën e nesërme gjatë vizitës në Novi Pazar.

“Novi Pazari është një vend që mund të bëhet urë në mes të dy vendeve tona dhe banorëve atje do t’ua themi këtë. Do të potencojmë rëndësinë e ruajtjes së unitetit dhe forcimit të bashkëpunimit të brendshëm në mes të gjithë qytetarëve”, ka thënë Erdoğan.

Presidenti Erdoğan sot do të marrë pjesë në forumin e biznesit të Serbisë dhe Turqisë në Beograd, kurse nesër do të vizitojë Novi Pazarin, raporton AA.

Megjithatë, Erdogan nuk e ka thënë asnjë fjalë për Kosovën gjatë vizitës së sotme në Beograd. Të paktën deri në këto momente të vizitës dhe duke u bazuar në atë që raportojnë mediat shtetërore turke dhe ato serbe.