Erdogan: Me sistemin presidencial pronar i shtetit do të jetë vetë populli

08.02.2017 16:16:17

Presidenti i Turqisë Recep Tayyip Erdogan është takuar me krerë të fshatrave dhe lagjeve (muhtar) nga rajone të ndryshme të Turqisë në Mbledhjen e 36-të të Krerëve të Lagjeve dhe Fshatrave që u organizua në rezidencën presidenciale.

Duke e theksuar rëndësinë e takimeve në këto kohëra, sipas tij, kritike për shtetin dhe popullin, Erdoğan tha: “Dijeni që këto takime ndiqen nga e gjithë bota. Me mesazhet që i japim këtu dhe pamjen e unitetit, bashkimit dhe solidaritetit që e shfaqim para Turqisë dhe botës këtu bashkë me ju, ne thuajse hyjmë në histori”.
Erdoğan foli edhe në lidhje me kalimin në sistemin presidencial në Turqi. “Populli ynë, me mbështetjen që i dha ndryshimit ligjor me të cilin u hodh hapi i parë në vitin 2007, deklaroi se preferon të jetë pro sistemit presidencial. Ndërkaq, ndryshimin kushtetues i cili do të votohet nga populli në muajin prill duhet shikuar si përfundim i këtij hapi të hedhur para dhjetë viteve. Realisht, unë besoj se populli ynë do të përkrahë në mënyrë të njëjtë këtë ndryshim i cili do të sigurojë përfundimin e reformës së cilës atëbotë ai i tha ‘po’ me 69 përqind të votave”, vuri në pah Erdoğan, raporton Anadolu Agency.

Ai tha se në Turqi tanimë nuk ka ngelur mundësia që shtetit t’i shkaktojë shqetësime asnjë person që kundërshton vlerat, historinë dhe kulturën e popullit.

“Me këtë sistem nuk ka mundësi që të rrezikohet stili i jetesës së asnjë grupi etnik apo fetar. Kjo sepse në periudhën e re, pronari i shtetit do të jetë vetë populli, e jo ky apo ai institucion. Populli tani do ta ketë mundësinë që t’i dalë zot demokracisë, lirisë dhe së ardhmes përmes presidentit dhe kuvendit të cilin e ai e mban nën inspektim. Ky ndryshim nuk është reformë e nxituar, por, përkundrazi, është reformë e vonuar”, tha presidenti Erdoğan.

Ndërkohë, duke folur edhe në lidhje me uljen në 18 vjet të moshës për zgjedhje, Erdoğan tha: “A ka detyrë më të rëndësishme se të shërbesh në parlament? Të rinjtë tanë do t’i shërbejnë atdheut dhe popullit në parlament”.

Erdogan ka shprehur besimin se në lidhje me këtë çështja qeveria do të bëjë ndryshimin e duhur pas referendumit.