ESI: BE-ja të mbyllë Kutinë e Pandorës të bisedave për ndryshim kufijsh ndërmjet Kosovës dhe Serbisë

25.04.2019 22:49:12

Raporti i ESI-t flet gjerësisht për kryeprotagonistin që ka riaktualizuar këtë ide të moçme serbe, hipnotistin (siç e quan) Aleksandar Vuçiq, presidentin e Serbisë.

Nga: Muhamet Hamiti

Think tank-u evropian “European Stability Initiative” (ESI) ka botuar sot, më 25 prill 2019, një raport me titull “The Hypnotist – Aleksandar Vucic, John Bolton and the return of the past” (Hipnotisti – Aleksandar Vuçiqi, Xhon Boltoni dhe kthimi i të së kaluarës”, që bën anatominë e idesë së moçme serbe për ndarje të Kosovës. Raporti nënvizon se Serbia e Vuçiqit dhe Daçiqit, ish-bashkëpunëtorëve të Millosheviqit, ia ka dalë ta ripaketojë këtë ide të së kaluarës së errët dhe ta nxjerrë në diskutime në kancelari ndërkombëtare, duke përfshirë në SHBA. Te kjo e fundit mbas ardhjes në detyrën e Këshilltarit për Siguri Kombëtare të Xhon Boltonit (John Bolton), njeriut që, një muaj mbas shpalljes së pavarësisë së Kosovës në shkurt të vitit 2008, thoshte se çështja e Kosovës nuk ishte zgjidhur. Qeveritarët serbë janë shastisur gëzimi kur ishin siguruar se dikush në Uashington do të dëgjonte edhe ‘variantin serb’ për zgjidhjen e çështjes së Kosovës, që në të vërtetë është ndarja e Kosovës.


ESI e quan “performancë të shkëlqyeshme” të Vuçiqit paraqitjen e presidentit serb në forumin e Alpbach-ut (Austri) më 25 gusht 2018, me ç’rast ai dhe homologu i tij kosovar Hashim Thaçi bënë të ditur se po shqyrtonin edhe ndryshimin e kufijve si pjesë të marrëveshjes për normalizim të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë. (Në fillim të raportit, ESI përkujton edhe deklaratat e kryeministrit shqiptar Edi Rama në favor të diskutimeve për ndryshim të kufijve.)


Serbia është militarizuar rëndë në dy vitet e fundit dhe me të madhe ka shtuar intensitetin e kërcënimeve ndaj Kosovës, veneron ESI në këtë raport. Buxheti ushtarak i Serbisë në vitin 2017 ka qenë 731 milionë dollarë, më i madh se i pesë vendeve të tjera të Ballkanit Perëndimor së bashku (Kosovës, Shqipërisë, Bosnjës, Malit të Zi dhe Maqedonisë Veriore), që kanë shpenzuar vetëm 570 milionë dollarë për ushtri në atë vit.
Në fund të raportit, ESI nxjerr përfundimin: “Përvoja e rritjes së thekshme të tensioneve në vitin e fundit çon te përfundimi se Bashkimi Evropian duhet të mbyllë Kutinë e Pandorës të bisedave të mëtejme për rivizatim të kufijve përgjatë vijave etnike”.
Raporti 35 faqesh i ESI-t gjendet këtu në anglisht:

ESIWEB.ORG