Esse-Portret njerzor

27.05.2019 11:39:09

Nga Artan Mullaj
(marre nga Libri “PRELUD KRENARIE, mozaik letrar” -L.K.)
larg paragjykimeve politike dhe mendësive letrare.
Ja si e pikturon me penen e tij piktori dhe shkrimtari i talentuar Artan Mullaj, poetin Dritero Agollin,Nderi Kombit :
“Një shkrimtar, pleqëria është si një tempull meditimi. Tempull e bën adhurimi i ngritur i njerëzve. Meditim e bën trokitja e vjeshtës krijuese; një ditë, pas rrugës së gjatë, në paqe me rrudhat dhe thinjat, shkrimtari do ta shëmbëllejë përfundimin e veprës së tij si një piramidë të bardhë në kufi. Ç’ndodh me të? Çfarë ndien? Ndoshta trishtim dhe komoditet shpirtëror njëherësh. Në jetën e çdo krijuesi herët a vonë vjen momenti fatal i vendimit për të mos shkruar më. Nuk është e lehtë të pranosh shuarjen e pasionit që të ka mbajtur gjithë jetën në një fluturim mbi kokat e njerëzve. Këtë na e dëshmon historia. Njihen jo pak raste mendjesh të shquara që kanë zgjedhur të barazojnë jetën me veprën e tyre. Xhek London, Tomas Man, Stefan Cvajg, Ernest Heminguej. Kanë qenë mendimtarë të mëdhenj dhe shpirtra të sunduar jo nga dëshpërimi për mbarimin e jetës, por nga rebelimi ndaj pamundësisë për të krijuar më tej. Për Stefan Cvajgun puna intelektuale nuk ishte thjesht gëzimi më i pastër, në një botë që s’është e gëzueshme, por arsyeja e ekzistencës. Lufta e Spanjës kish qenë e rrezikshme për Heminguejin, por jo më e vështirë se beteja me veten për të pranuar një realitet pa krijim. Autorë të tjerë, shkrimtarë e poetë të të gjitha epokave, kanë kalëruar në kufijtë këtej dhe andej kësaj bote, për të kuptuar më shumë. Për të duruar përfundimin, por edhe për të njohur botën e përtejme. Hygoi, Tolstoi, Anatol Frans. Vështirë të gjesh në listën e klasikëve të mëdhenj të artit botëror një krijues që nuk ka tentuar, qoftë edhe pa sukses, arratinë, duke synuar braktisjen e materies për frymën…
-Kështu e përfytyroj sot unë Dritëroin: “Unë sot duhet të isha atje mes jush, por jam një kalë që i kanë dalë brinjët dhe i kanë rënë patkonjtë nga udhëtimi i gjatë…”
Është njëri prej tyre, frymë balte, shpirt e zjarr, njëlloj si ata. Ata i dhanë kuptimin, Dritëroi u ktheu sharmin. Ata i dhuruan filozofinë me pafajësinë e tyre, poeti u ndezi dëshirën të ndihen më mirë, të kuptojnë më bukur; ata i dhanë padashur frymëzim edhe ndjenjë, harbuar në hallet e tyre, gjeniu i poezisë i shndërroi, përmes vargjeve, në përsosmëri dhe autoritet. Ata i dhanë tribunën, lavdinë. Ai, u trashëgoi fisnikërinë e krenarisë për poetin e kombit; ata i dhanë politikë, të cilën ua shndërroi në arsye. Ndonjëherë edhe e shanë e përbuzën, por i madhi Dritëro, u buzëqeshi heshtur në vargjet me gjethe të verdha të rëna në trotuaret e lagura të Tiranes…”..