Eurodeputeti Eduard Kukan: Shqipëria ka bërë përparim në axhendën e integrimit në BE

27.06.2018 20:17:21

Me anë të një deklarate, eurodeputeti Eduard Kukan thotë se Shqipërisë dhe Maqedonisë u është dhënë një vit kohë për të shkuar më pas në tryezën e negociatave.

Ai deklaroi se dy vendet meritojnë një mesazh të qartë për hapjen e negociatave, ndërsa thekson se do të punojë gjatë kësaj kohe me partnerët nga dy vendet.

“Unë përshëndes konkluzionet e Këshillit të Çështjeve të Përgjithshme të djeshme për hapjen e rrugës për negociatat e pranimit me Shqipërinë dhe Maqedoninë. Unë dua të përgëzoj të dy vendet për përparimin e bërë në axhendën e integrimit në BE.

Ata meritojnë një mesazh të qartë për fillimin e negociatave të pranimit. Këtyre vendeve u është dhënë një vit kohë të vijnë në tryezën e negociatave, që pasqyron diskutimin e brendshëm të Këshillit mbi procesin e zgjerimit të BE.

Unë mbështes plotësisht Shqipërinë dhe Maqedoninë në këtë proces dhe i besoj angazhimit të tyre në axhendën e reformave. Unë pres që të punoj me partnerët tanë gjatë muajve të ardhshëm dhe jam gati të ec me ta në rrugën drejt negociatave të pranimit”, thuhet në deklaratën e Kukan.