Eurodeputetja, Julie Ward, kërkon drejtësi për gratë viktima të dhunës gjatë luftës

15.06.2017 10:20:56
Anëtarja e Parlamentit Evropian, britanikja Ward, bën thirrje që të ndihmohen gratë viktima gjatë luftës në Kosovë.

Eurodeputetja Julie Ward ka kërkuar që gratë viktima të dhunës gjatë luftës 1998-’99 në Kosovë mos të paragjykohen, por të aktivizohen në shoqëri.

Ajo gjithashtu ka apeluar tek Qeveria e Kosovës që ta zbatojë Ligjin për Kompensimin e Grave dhe Vajzave Viktima.

Anëtarja e Parlamentit Evropian, britanikja Ward, në një intervistë dhënë për “Zërin” ka thënë se liderët e Kosovës duhet të punojnë shumë dhe shpejt për t’i përkrahur viktimat seksuale të dhunës, kurse liderët serbë duhet të kërkojnë falje për krimin ndaj tyre.

Ward ka thënë se zëri i tyre do të përçohet edhe në Parlamentin Evropian për mbrojtjen dhe të drejtat e tyre.

Dhe këtë ka premtuar se do ta bëjë personalisht.

Interesimi i saj për t’i përkrahur këto viktima është përqendruar sidomos për zbatimin e Ligjit për Kompensimin e Viktimave.

Veprimin e Parlamentit të Kosovës për ligjin për t’i verifikuar dhe kompensuar këto viktima e quan të vonshëm, megjithëkëtë fton institucionet e Kosovës që të veprojnë përkundër sfidave dhe ta zbatojnë ligjin.

“Jam munduar që të ngre zërin për gratë në përgjithësi, e sidomos për gratë në Kosovë që kanë qenë viktimë e dhunës seksuale gjatë luftës. Këtë herë nuk kam pasur shumë kohë që të shkoj dhe t’i takoj. Por unë isha në Drenas dhe aty takova gra që janë viktima dhe që janë të gatshme t’i ndërtojnë jetët e tyre dhe gjithashtu nuk ngurojnë të flasin për eksperiencën e tyre dhe kjo është më e rëndësishme, sepse unë e kuptoj stigmatizimin dhe turpin ndaj këtyre grave në këtë vend dhe se është shumë e vështirë të flasësh për diçka të tillë. Ato ndihen të turpëruara para burrave të tyre, para vëllezërve të tyre”, thotë Ward.