Evazion fiskal? Cristiano Ronaldo përgënjeshtron

09.12.2016 16:04:12

Cristiano Ronaldo thyen heshtjen në lidhje me informacionet e publikuara për evazionin fiskal të kryer prej tij për shifrën e 150 milionë eurove.

Në një intervistë për median portugeze, sulmuesi i Realit të Madridit deklaroi se nuk është i shqetësuar, pasi një person që nuk ka detyrime nuk ka përse të ketë frikë. Ishte rrjeti mediatik EIC që zbuloi këtë informacion, ndërkohë që organet tatimore në Spanjë kanë bërë të ditur se hetimet në lidhje me këtë çështje kanë nisur dhe ato prekin periudhën 2011-2013.

Ndërkaq, orët e fundit agjencia “Gestifute” publikoi në media një dokument sipas të cilit, Cristiano Ronaldo ka deklaruar se në 2015 zotëronte të mira financiare prej 203 milionë eurosh jashtë vendit. Bashkangjitur me këtë dokumentacion, ishte edhe një deklaratë ku theksohej se organet fiskale spanjolle kanë të gjitha informacionet në lidhje me pozicionin financiar të futbollistit, i cili nuk do të bëjë më deklarata në lidhje me këtë çështje.

Sipas “Gestifute”, Cristiano Ronaldo i ka përmbushur detyrimet e tij kudo që ai ka jetuar dhe nuk ka pasur asnjëherë probleme me autoritetet fiskale.