Fadil Kajtazi: Dezertimi i kolonel Nehat Thaqit

02.11.2016 08:48:11

Njohësi i çështjeve të sigurisë, Fadil Kajtazi e ka parë ndryshe arrestimin e Nehat Thaqit dhe mbajtjen e tij në paraburgim. Vetë hyrjen e tij në territorin e një shteti armik, e quan dezertim. Mirëpo, ai e quan kombinim agjenturor klasik. Më tej, z. Kajtazi e quan formal marrjen në pyetje nga ana e prokurorëve për krime lufte, kurse pyetjet e vërteta i ka nga BIA, e cila mund të ketë më shumë sesa pyetje per krime lufte, pra mund të ketë edhe synime për rekrutim. Prandaj, këtë skandal, bashkë me dezertimin e Osman Musës dhe vjedhjen e dhomës së dëshmive i quan si tronditje të themeleve të policisë së Kosovës.

Ky është i plotë postimi i Fadil Kajtazit:

“Si ta kuptoj një qytetar i rëndomtë i Republikës së Kosovës, hyrjen në territorin e një shteti armik të një koloneli të Policisë së Kosovës. Për mendjen e shëndosh kjo nuk ka së si kuptohet ndryshe pos si një dezertim. Por rrethanat e cekura më lart mbi mënyrën e regrutimit të policisë këtë akt e zhvendosin në një plan tjetër. Ky është një kombinim klasik agjenturor; komandantë të shumtë hyn e dalin në Serbi dhe kush nuk e merr vesh, por shërbimeve sekrete serbe përshtypje ju ka bërë drejtori rajonal i Policisë së Kosovës në Mitrovicë, dhe nga prokurorët për krime lufte, ai merret në pyetje formalisht, ose sa për t’u frikësuar. Pyetjet e vërteta atij janë duke ja bërë specialistët e BIA-së nga sektori për regrutim të agjentëve. Pozita e drejtorit dhe e kaluara do të jenë sfida të kolonel Nehat Thaqit gjatë seancave me specialistët e BIA. Sa do t’i rezistoi koloneli presionit vështirë të dihet, por një gjë është e sigurt se ai nuk do të ishte ndalur nëse BIA nuk do të kishte për të diçka më shumë se “krimet e luftës”. Ky skandal, së bashku me dezertimin e Osman Musës dhe me vjedhjen e dhomës së dëshmive, tronditin thellë themelet e Policisë së Kosovës. Deri sa këto nuk ndriçohen plotësisht, në këtë institucion do të ketë probleme serioze.”