Fahredin Spahija dokumenton përfshirjen e Hoxhës dhe Prelvukajt në fushatën e PDK-së kundër tij (Dokument)

09.03.2019 23:33:40

Artisti i njohur dhe profesori universitar, Fahredin Spahija ka reaguar në faqen e tij në facebook, lidhur me debatin për përfshirjen apo jo të Eliza Hoxhës dhe të Zake Prelvukajt në fushatën e deputetit të PDK-së, Memli Krasniqi.

Ky reagim i profesor Farhredin Spahisë ka ardhur pasi që dy artistet kanë mohuar të kenë qenë pjesë e fushatës së politikanit të PDK-së, me ç’rast z. Spahija ka sjellë edhe vendimin e Memli Krasniqit, atëherë ministër i Kulturës, për emërmin e Bordit të ri të Galerisë së Arteve, tri ditë para shkarkimit të tij nga pozita e drejtorit të kësaj galerie.

Në dokumentin e paraqitur nga z. Spahija, shihet se pjesë të këtij bordi kanë qenë edhe Eliza Hoxha dhe Zake Prelvukaj.

Më poshtë mund të lexoni të plotë reagimin-sqarimin e z. Spahija në facebook:

Eliza Hoxhës dhe Zake Prelvukajt ua kujtoj me dokumente se ishin pjesë aktive e fushatës së Memli Krasniqit (lexo: PDK-së) për largimin tim nga pozita e drejtorit të Galerisë Kombëtare të Kosovës.
Ato pas një postimi të gazetarit Ngadhnjim Avdyli se janë ba pjesë e PDK-së, e kanë mohu të kenë pasë çfarëdo lidhje me këtë parti kurse unë po nxjerr në dritë vendimin për shkarkimin tim të cilin e ka nënshkruar Eliza Hoxha.
Për sqarim më të mirë të këtij vendimi arbitrar dhe të komanduar nga ministri i atëhershëm i kulturës Memli M. Krasniqi po jap edhe vendimin e tij per krijimin e Bordit të ri (vetem tre dite para shkarkimit tim) ku veç Eliza Hoxhës figuron edhe emri i Zake Prelvukajt dhe faqezinjëve tjerë, shërbëtorë besnik të PDK-së…