Familja Dehari njofton se sot nuk varroset djali i tyre

06.11.2016 12:37:51

Familja e të ndjerit, Astrit Dehari, ka njoftuar se sot nuk do të bëhet varrimi i djalit të tyre, i cili vdiq derisa ishte duke shkuar nga burgu i Prizrenit për në spital

“Ju informojmë se varrimi i Astrit Dehari djalit të Avni Deharit nuk bëhet sot (e diel). Për më shumë ju informojmë më vonë”, thuhet në njoftimin e Familjes Dehari, shkruan express.

Astrit Dehari ka ndërruar jetë të shtunën dhe ishte duke u mbajtur në paraburgim prej 67 ditësh nën dyshimin se ishte i përfshirë në një sulm ndaj Kuvendit të Kosovës.

Partia e Visar Ymerit, Vetëvendosje, ka kërkuar përgjegjësi nga Shteti për vdekjen e aktivistit të tyre derisa institucionet shtetërore kanë kërkuar zbardhjen sa më të shpejt të kësaj ngjarjeje.

Madje, familjarët e Deharit kanë kërkuar që gjatë autopsisë të ketë edhe mjekë të pavarur për të zbardhur të vërtetën lidhur me vdekjen e Astritit.

Deri më tash, zyrtarët e Policisë, Prokurorisë dhe Shërbimit Korrektues të Kosovës kanë thënë se Astrit Dehari vdiq në rrethana ende të pasqaruara.

Kryeprokurori i Prizrenit, Sylë Hoxha ka thënë se në qafën e viktimës janë vërejtur gërvishje.

Drejtori i Policisë, Nexhmi Krasniqi ka thënë se bazuar në informatat që i kanë marrë nga Shërbimi Korrektues i Kosovës, Avni Dehari kishte konsumuar barna, kishte rënë në komë dhe duke u dërguar në spital kishte ndërruar jetë.

Para dy vitesh, vëllai i Astrit Deharit, Arbnori kishte bërë vetëvrasje. Të dy këta ishin aktivistë të Lëvizjes Vetëvendosje.