Familjarët e dy aktivistëve të burgosur të VV-së: Neve nuk na përfaqëson Dardan Molliqaj

19.12.2017 20:55:17

Familjarët e aktivistëve të burgosur të Lëvizjes Vetëvendosje (VV), Egzon Haliti dhe Atdhe Arifi, përmes një letre, kanë thënë se deputeti i VV-së, Dardan Molliqaj, nuk i përfaqëson ata.

Përmes një letre dërguar mediave, ata kanë thënë se e kanë kuptuar që sonte në emisionin Rubikon të KTV-së, do të flitet për rastin e dënimit siç e quajnë ata të padrejtë të bijve të tyre, nga Gjykatat e kapura politike.

“Po ashtu nga njoftimi publik kuptuam që në emër të Lëvizjes dhe aktivistëve të dënuar do të fliste Dardan Molliqaj. Me të kuptuar këtë, ne kontaktuam me zyrtarë të Lëvizjes të cilët na njoftuan që kjo nuk është bërë ne koordinim me organet e Lëvizjes, përkatësisht Sekretariatin e Përgjithshëm që drejtohet nga Ismajl Kurteshi, i cili me sa dimë nuk është në dijeni për këtë emision”, thuhet më tutje.

Në letrën e dërguar nga këto dy familje, theksohet se ata janë shumë të indinjuar dhe njëkohësisht të prekur thellë sesi dikush sipas tyre, po mundohet të fitojë popullaritet përmes çështjes së bijve tanë.

“Ne duam të besojmë që organet e Lëvizjes do të na përfaqësojnë drejtë. Po ashtu duam të njoftojmë që as në këtë emision dhe në asnjë qëndrim publik të shprehur, Dardan Molliqaj nuk na përfaqëson dhe nuk mund të shtiret sikur po i mbron bijtë tanë. Ai, tashmë kur kanë kaluar më shumë se një muaj nga dënimi i bijve tanë nuk na ka kontaktuar fare e as vizituar. Dardan Molliqaj para se të marrë pjesë në emisione për këtë çështje, duhet të na e sqarojë mungesën e tij në seancën ku bijve tanë iu shqiptua dënimi. Ai morri pjesë në secilën seancë tjetër, përveç në ketë të fundit. Dardan, para se të flasësh në emrin e bijve tanë dhe në emrin tonë na trego ku ishe atë ditë”, përfundon letra.