Familjarët e viktimave të Masakrës së Reçakut, të zhgënjyer me institucionet shtetërore

15.01.2019 20:30:36

Të mbijetuarit nga masakra e Reçakut, e 15 janarit 1999, rrëfejnë për ngjarjen që s’do tu hiqet kurrë nga mendja. Ata janë të zhgënjyer me institucionet e Kosovës. Thonë se askush nuk është përkujdesur për familjet e të vrarëve në këtë masakër.

Pamjet e Reçakut tronditën botën si dhe zgjuan ndërgjegjen e diplomacisë botërore duke u mobilizuar për Kosovën, për të ndalur gjenocidin që po ushtrohej ndaj shqiptarëve.

Kjo masakër kundër civilëve shqiptarë, bëri kthesë në histori.

Për familjaret e të vrarëve, dy dekada pas,  pamjet janë ende të freskëta. Idajete Tërshukit  iu masakrua babai në Reçak.

Mes lotëve thotë dhimbjen e ka të njëjtë sikur para 20 viteve.

“Mërzi kemi boll, kriminelët nuk po dënohen. Ma vështirë nuk ka. Si më herët si tani, mërzia nuk na hiqet asnjëherë. Dënime nuk po bëhen, vetëm shqiptarët po dënohen”, thotë për RTV Dukagjinin, Idajete Tershuki.

Elife Mehmeti, humbi babain dhe motrën në Masakrën e Reçakut. Asaj edhe vëllau i mbeti i plagosur. Thotë se  shteti nuk është përkujdesur për familjet e tyre.

“Me mund shteti me ju ndihmua jetimëve, sepse deri tani nuk ja ka ndihmuar. Duhet të kujdesen për jetimat, se dhembje e madhe është. Mbase të tjerët po e gëzojnë lirinë, së paku edhe për ta të kujdeset dikush, të mos i lënë në vuajtje”, shprehet familjarja e viktimave të Reçakut, Elife Mehmeti.

Në nder të viktimave që kanë pësuar në masakrën e Reçakut bënë homazhe edhe një numër i madh i qytetarëve.

Ambasadori amerikan William Walker, për çdo përvjetor ishte pjesë e këtyre homazheve. Ndërkaq  në nderim të tij përballë kompleksit memorial qëndron shtatorja e tij.