Familjarët s’pajtohen me dëshminë e ish-komandant “Guri” se Haxhi Përteshi u vra nga forcat serbe

23.11.2017 16:46:33

Jetulla Qari, i njohur në kohën e luftës si komandant “Guri”, të enjten, ka dhënë dëshminë e tij në rastin për krime lufte që po zhvillohet në Gjykatën Themelore në Prizren, ndaj të akuzuarit Remzi Shala.

Ky dëshmitar, gjatë dëshmisë së tij, ka thënë se viktimën Haxhi Përteshi e kanë vrarë forcat serbe e jo i akuzuari Shala, siç pretendon organi i akuzës.

Nga kjo deklaratë kanë reaguar fëmijët e të ndjerit, të cilët ishin prezentë në seancë, të cilët kanë thënë se nëse babanë e tyre e kanë vrarë forcat serbe, atëherë i akuzuari ua ka dërguar forcave serbe, pasi që atë e ka marrë nga shtëpia e tyre, i akuzuari Shala.

I dëmtuari, Agron Përteshi, i është drejtuar të akuzuarit me fjalët se ai ka qenë prezent kur ia ka marrë babanë, andaj i ka bërë thirrje që të tregojë se ku e ka dërguar. “Mos merr përgjegjësi që nuk të takojnë, trego me urdhër të kujt e ke marrë babën dhe kujt ia ke dorëzuar”, ka thënë Përteshi.

Më pas, me ndërhyrjen e kryetares së trupit gjykues, Raime Elezi, mbrojtësit të të akuzuarit, avokatit Natal Bullakaj dhe policëve që ishin prezentë në seancë, situata është qetësuar dhe shqyrtimi ka vazhduar.

Tutje, dëshmitari Jetulla Qari, ka thënë se vazhdimisht ka qenë i angazhuar për sigurimin e furnizimeve për ushtarët në front dhe se lagjja “Sopa” ka qenë në kufi me fshatin Bllacë, andaj nuk ka pasur kontroll direkte në atë pjesë.

Ai ka thënë se për vrasjen e Haxhi Përteshit, ka mësuar nga njerëzit që punonin në hapjen e istikameve, por se në atë kohë është folur se ashtu siç janë vrarë shumë njerëz nga forcat serbe, njëjtë është vrarë edhe viktima në fjalë.

Dëshmitari, është pyetur nga i dëmtuari Zenel Përteshi, se nëse babai i tij është vrarë nga forcat serbe, pse nuk është shënuar si martir i luftës si krejt të vrarët tjerë.

Dëshmitari Qari është përgjigjur se nuk ka njohuri, pasi sipas tij, kjo ka qenë detyrë e Këshillit Organizativ të fshatit Duhël, të cilët kanë mbajtur evidencë për civilët e vrarë gjatë luftës.

Kryetarja e trupit gjykues, Raime Elezi, me kërkesë të prokurorit Haki Gecaj, ka ndërprerë shqyrtimin gjyqësor, ndërsa seanca e radhës do të mbahet më 27 nëntor 2017.

Remzi Shala akuzohet nga Prokuroria Speciale se gjatë kohës së luftës në Kosovë, më 26 qershor 1998, duke vepruar si pjesëtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), së bashku edhe me disa pjesëtarë tjerë të paidentifikuar, kanë marrë nga shtëpia e tij, viktimën Haxhi Përteshi.

Sipas aktakuzës, Remzi Shala, i cili ishte i vetmi pa maskë në kokë, së bashku edhe me 5-6 pjesëtarë tjerë të UÇK-së, të maskuar, nën dyshimin se i ndjeri ishte bashkëpunëtor i forcave serbe, kanë shkuar në fshatin Duhël dhe të njëjtin e kanë dërguar në një vend të panjohur.

Në aktakuzë, thuhet se djali i viktimës, Agron Përteshi, i kishte parë ata të largoheshin, së bashku me babin e tij, në drejtim të fshatit Grajqevc dhe pas disa dite trupi i pajetë i të ndjerit ishte gjetur në afërsi të rrugës afër qendrës së fshatit Duhël.