Fehmi Vejsa, gjashtë dekada me profesionin e saraçit

26.08.2019 20:57:18

Ka kaluar shumë kohë prej se Fehmi Vejsa ka filluar ta mësojë zanatin e saraçit.

Gjithë familja e tij njihet për punim të lëkurës, dhe si i vogël shkonte vazhdimisht tek lokali i babait, i cili ishte njëri nga shumë lokale të vjetra në qytetin e Gjakovës.

Që nga ajo kohë, ai nuk ka mundur t’i ndahet asnjëherë zanatit të saraçit.

Janë bërë pothuajse 60 vite që Fehmi Vejsa vazhdimisht ka përpunuar produktet e lëkurës.

“Nga mosha 13 vjeçare kam punuar me këtë zeje, atëherë kur edhe është hapur dyqani i familjes. Të katër vëllezërit zanatin e kemi trashëguar prej babait. Pra 60 vite kam që merrem me këtë zanat nga fëmijëria. Në këtë zeje 90% e punëve kryhen me dorë. Pak përdoret makineria. Një zeje kur e do, nuk është i vështirë”, tha për RTV Dukagjinin, Fehmi Vejsa.

Dikur për këtë zanat kishte shumë interesim, dhe nga kjo punë kishte fitim të madh. Fehmi Vejsa ka thënë se në atë kohë çdo familje ka pasur kuaj në shtëpi.

Shala për kalërim, është ajo që e karakterizon këtë zanat.

“Kemi punuar katër vëllezërit bashkë më babanë dhe nuk kemi arritur të plotësojmë në tersi kërkesat e shumta të klientëve, por me zhvillimin e teknologjisë dhe modernizimin e mjeteve për punimin e tokës, filloi rënia e vlerës së kuajve dhe rrjedhimisht edhe kërkesa e produkteve që ne i punojmë”, tregon Fehmi Vejsa, përcjell Telegrafi.

Por, gjatë viteve ky zanat ka filluar të zbehet.

Edhe pse ka ndodhur ky lloj revolucioni, Fehmi Vejsa nuk është ndalur.

Ai ka filluar të krijojë produkte të tjera të lëkurës, që i hyjnë në punë edhe sot të gjithëve.

“Për momentin, kemi kaluar në punimin e rripave të lëkurës, apo rripa për qenë. Më herët kemi punuar veshje për kuaj dhe karroca por tash më nuk ka kërkesa. Për momentin ka interesim për rripa sepse e dinë që janë vetëm produkte lëkure dhe nuk kanë përzierje të plastikës”, thotë Vejsa.

Përveç se i punon ato, ai gjithashtu bën edhe dizajnet në lëkurë.

Çdo njëra më e bukur se tjetra dhe Fehmi Vejsa ka thënë se ndodh kjo kur ka një përzierje mes gjërave antike dhe atyre moderne.

Kohën më të madhe e kalon në këtë lokal. Përveç se ndihet mirë kur e punon këtë zanat, Fehmi Vejsa gjithashtu ndjen nostalgji për kohën e dikurshme.